Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nga sot pagesa e doganës online, fillon e-dogana

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e e-doganave. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Financave Bode, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z. Gjymyshka dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Drejtorisë së Doganave. E-dogana është një investim me vlerë 80 mijë dollarë dhe me këtë investim tashmë çdo biznes paguan nga zyrat e veta.
Në total investimet për modernizimin e doganave kanë shënuar 180 milion euro, prej të cilave 28 milion për modernizim dhe 80 milion euro në infrastrukturën doganore, të cilat kanë bërë të mundur përfitimet për rritjen e nivelit të të ardhurave rreth 2 herë krahasuar me vitin 2005, uljen e nivelit të kontrollit fizik pas implementimit të sistemit të skanimit nga 100 përqind në 2005, në 10 përqind në 2012 me tendencë ulje të mëtejshme. Ky sistem sjell uljen e kohës së zhdoganimit (qëndrimi i mallrave në doganë), nga 457 minuta në vitin 2011 në 206 minuta në 2013. Me zbatimin e këtij sistemi vjen reduktimi i dokumenteve në eksport nga 7 në 3 dhe import nga 8 në 4 dhe rritja e transparencës ndaj biznesit. Rritjen e transparencës nëpërmjet krijimit të portalit ku çdo biznes mund të konstatojë të gjitha stadet e deklaratës dhe nivelin e kontrollit si dhe mundësia e marrjes së informacionit nëpërmjet fletores zyrtare të pasqyruar në faqen tonë të web-it. Gjithashtu ky sistem sjell edhe rritjen e nivelit te kontrollit për efekt sigurie.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë sistem, duke u shprehur se modernizimi i shërbimit doganorë, ndikon në rritjen e madhe të transparencës në këtë shërbim, në shkurtimin e kohës, në pagesa dhe renditjen e doganave të vendit në nivelet më të larta të shërbimeve teknologjike.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar zoti ministër.
Zoti drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Të dashur punonjës dhe punonjëse të sistemit të doganave të vendit.
Së pari një përshëndetje të përzemërt, ju punonjësve të doganave të Shqipërisë. Përshëndetje të përzemërta Endrit, Arlindës, të gjithë ekipit, Drejtorit të Përgjithshëm z. Gjymyshka, Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë atyre, që me përkushtim bënë të mundur sot një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në modernizimin e shërbimit tonë doganorë, në rritjen e madhe të transparencës në këtë shërbim, në shkurtimin e kohës, në pagesa dhe renditjen e doganave të vendit në nivelet më të larta të shërbimeve teknologjike. Unë sapo vizitova me ministrin sallën në të cilën ju ushtroni një kontroll on line në të gjitha pikat doganore nga kjo sallë, në një projekt tjetër të shkëlqyer, që edhe vlerësimi të mund të bëhet se shpejti nga kjo sallë për të gjitha mallrat që vijnë.
Zonja dhe zotërinj.
Asgjë nuk pasqyron shteti më shumë se dogana. Dogana është një institucion themelor i krijuar me krijimin e shtetit, është porta e hyrjes së tij dhe vendit. Unë kam kënaqësinë të konstatoj përmirësime thelbësore që ju keni bërë gjatë këtyre viteve. Përmirësime, të cilat janë pasqyruar së pari në një qëndrim të ri të publikut dhe biznesit ndaj jush, me një emër të mirë, pasqyruar në performancën tuaj në tërësi. Hapa të mëdha janë arritur gjatë këtyre viteve. Është reduktuar në 10 përqind kontrolli për riskun. Janë reduktuar në shkallë maksimale referencat . Inaugurua pak ditë më parë, një nga komplekset më moderne, që siç do të më thoshte një mik italian për doganën e Tiranës të inauguruar në Vorë, vepër kjo e një partneriteti publik-privat.
Të dashur miq.
Asgjë nuk ecën më shpejt se koha dhe më e rëndësishmja është stacioni në të cilin ke arritur ta konsiderosh veçse një mundësi më shumë për të përmirësuar më tej, për të përballuar sfida të tjera. Ndaj dhe ju inkurajoj të bëni gjithçka për të aplikuar shkallën më të lartë të teknologjisë së informacionit të sotëm dhe të asaj që vjen. Të bëni gjithçka për marrëdhëniet absolute më transparente me biznesin. Të dëgjoni me vëmendje zërin e tij. Platforma jonë është klima më miqësore e mundshme ndaj biznesit. Në këtë kontekst kërkesat e biznesit duhet të shqyrtohen me seriozitetin më të madh. Biznesi e kupton njëlloj si ne se, që referencat janë një mbrojtje për të, por biznesi nuk kupton pse duhet të jenë referencat në fuqi për vendet anëtare të Bashkimit Europian, pasi nëpërmjet euro-doganës ne mund të gjejmë çdo lloj dokumenti. Referencat me Bashkimin Europian janë hequr dhe kjo është një gjë e mirë, kjo ka qenë një nga kërkesat e biznesit. Ne do të bëjmë çdo gjë që kemi të mundur për biznesin. Ne qëndrojmë për ta ndihmuar atë dhe kjo është një gjë pozitive. Unë e kuptoj se mund të behët edhe ndonjë hile, por përqindja është aq e vogël sa nuk ia vlen të merremi me penalizimin e një morie të tërë biznesmenësh, të cilët tregtojnë me vendet e Bashkimit Europian dhe heqja është për tu përgëzuar.
Ndërtuam kompleksin madhështorë, me të vërtet një kompleks ndër më të mirët që mund të ekzistojë. Është e domosdoshme zoti Drejtor i Përgjithshëm dhe zoti Drejtor i Doganës së Tiranës, të uleni me shoqatën e transportuesve, nuk mund të nënvlerësohen ata. Ata janë burra, të cilët mbajnë Shqipërinë mbi supe, lëvizin miliona e miliona ton mall në vit dhe ne duhet të dëgjojmë mirë dhe ne duhet të arrijmë në ujdi me ta, ne duhet të jemi shërbëtorë të tyre dhe duhet tu krijojmë atyre kushtet më optimale. Ndaj dhe mundësish sa më shpejt të uleni bashkë me ta dhe gjatë bashkëbisedimit të nxirrni se cilat janë shqetësimet dhe ti ballafaqoni gjërat.
Ju them një gjë të dashur miq. Çfarë konstatoj? Konstatoj që kudo qytetarët, biznesmenët janë shumë vlerësues dhe të bëhet qejfi kur biznesmeni flet dhe thotë se doganat kanë bërë përmirësim të jashtëzakonshëm. Po. Kanë bërë. Shërbimet e Ministrisë së Financave kanë bërë transformime të mëdha dhe nuk është pak, është gjë e madhe kjo, por ama të mos harrojmë se djalli qëndron në detaje dhe në detaje, ne duhet të merremi derisa të bëjmë gjithçka të funksionojë si duhet, të mos injorojmë ankesat, te ulemi të përmirësojmë sa më shumë shërbimet. Gjërat më të mëdha ne i kemi bërë.
Sot është një ditë e veçantë për vendin, sepse vendoset pagesa on line dhe Shqipëria është nga vendet e pakta që e vendos këtë sistem dhe e falenderoj shumë qendrën e OKB në Gjenevë ,e cila iu përgjigj kërkesës sonë në një kohë shumë të shkurtër dhe beri të mundur bashkë me ekipin, realizmin e projektit. Gjatë këtyre kohëve të fundit janë vendosur një seri shërbimesh elektronike në Ministrinë e Drejtësisë, në Hipoteka, në Ministrinë e Punës, në tatime dhe sektorë të tjerë, është portali i qeverisë, në të cilën qytetari mund të marrë të gjitha këto shërbime direkt në internet.
Shqipëria dixhitale është sot një projekt real, një projekt që preket nga qytetarë. Shqipëria dixhitale është një projekt, i cili u bë i mundur nga angazhimi i madh i qeverisë në qindra projekte, shtrirja e internetit në të katër anët e vendit, rritja e fluksit të tij me 1300 herë, ulja me 3 deri ne 5 herë e çmimeve në telefoninë celulare dhe kalimi në teknologjinë 3G. Por ky vrap nuk do të ndalet. Katër vjeçari që vjen, Shqipëria do të bëjë gjithçka për tu shndërruar në një vend lider në Rajon në teknologjinë e lartë. Kjo do të sjellë shumë me tepër investime në Shqipëri, kjo do të rrisë reputacionin e vendit dhe natyrisht do të rrisë në mënyrë shumë të madhe transparencën e të gjithë veprimtarive, e të gjitha shërbimeve në vend.
Edhe njëherë ju uroj shumë suksese. I garantoj biznesmenët se ne nuk heqim dorë, përkundrazi pas kaq vitesh ne jemi më të bindur se kurrë, se ulja e mëtejshme taksave është rruga më e sigurtë e suksesit të biznesit. Se ulja e mëtejshme e taksave është rruga më e sigurtë, e punësimit të shqiptarëve. Se ulja e mëtejshme e taksave është rruga me e sigurtë, për zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë. Në një hark kohor të shkurtër 6 vjeçar, të ardhurat në këtë vend me filozof i taksa të ula kanë qenë 9.2 miliard dollarë më shumë. Por nëse të ardhurat janë rritur në mënyrë kaq të ndjeshme ,janë rritur sepse në një proporcion edhe më të madh janë rritur bizneset. Para nesh qëndron një analfabet në taksa. Unë kam respekt për analfabetët se është përgjegjësi e shoqërisë, por nuk është përgjegjësi e imja pse nuk njeh taksat ai, nuk është detyra e kryeministrit ti mësojë kryetarit të opozitës për taksat, sepse kjo nuk ndodh. Nuk luhet me taksat, një ditë vjen para kryeministrisë me uniforme ceremoniale dhe proteston pse e detyrova të ulë taksat, ditën tjetër thotë se 95 përqind e shqiptarëve nuk do të paguajnë taksa. Një mashtrim i paskrupullt i tipit të kohës së vjet. Gjenerata ime u rrit ndër një propagandë, e cila deklaronte çdo ditë se jemi vendi i vetëm pa taksa në botë. Me majë të lapsit, ishim të vetmit qytetarë që punonim 8 muaj në vit për shtetin , kjo ishte e vërteta e atij sistemi pa taksa. Por unë kam besim në mençurinë biznesmenëve , kam besim në arsyetimin e tyre, se këto bukëvale do t’ia lanë në autobusin e tij. Edhe njëherë ju përgëzoj shumë përzemërsisht, ju uroj të vazhdoni. Sukseset që ju keni arritur janë shumë të rëndësishme për vendin. Reputacioni që ju keni krijuar është shumë i rëndësishëm për vendin dhe për shtetit.

energjia.al, 30.05.2013