Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK: Evidentohen gabime në lexim dhe jo fryrje të faturave

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë një konference për media sot ka bërë sot publike të gjeturat e Komisionit Mbikëqyrës për trajtimin e ankesave të qytetarëve drejtuar KEK-ut lidhur me faturat e energjisë, me ç’rast ka përjashtuar mundësinë e fryrjes së faturave, ndërsa ka konfirmuar se ka pasur gabime në leximin e njësorëve të energjisë elektrike.
Kreu i MZHE tha se javën e kaluar kishte marrë një vendim që të themelojë një Komision Mbikëqyrës për trajtimin e ankesave adresuar në KEK për shqetësimet e qytetarëve lidhur me pretendimet për fryrjen e faturave dhe faturimin e mbingarkuar në përbërje të cilit ishin MZHE, MTI – Departamenti i Metrologjisë që merret me bazhdarimin e orëve, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Korporata Energjike e Kosovës dhe OJQ – Konsumatori.
“Puna e këtij grupi ka qenë që të marrë mostra nga grupi i të gjitha ankesave që kanë ardhur në KEK,  për të monitoruar punën se a janë trajtuar të gjitha ankesat e konsumatorëve sipas rregullave dhe përgjegjësive ligjore që ka KEK-u apo nuk janë trajtuar”, tha Beqaj.
Ministri tha Komisioni ka evidentuar gabime të caktuara. Gabimet janë të natyrës njerëzore dhe  kanë të bëjnë me leximin e orëve, gabime nga mungesa e qasjes në leximin e orëve, ndërrimi i orëve nga momenti që është hequr deri te vendosja e orës së re dhe gabime tek lidhjet e reja.
“Nga totali i të gjitha ankesave të cilat kanë qenë të evidentuara, ky grup i ka monitoruar 31 lëndë sipas mostrës të zgjedhur nga OJQ Konsumatori. Nga këto lëndë, prej tyre 8 ankesa kanë qenë në ndërrim të orës, të cilat janë korrigjuar; 13 ankesa për gabime në lexim, nga të cilat 7 janë korrigjuar dhe 6 janë refuzuar si të pabaza; 5 ankesa për mos qasje në lexim, të gjitha  janë korrigjuar dhe 2 ankesa në lidhje të reja, të cilat janë korrigjuar”, ka bërë të ditur Beqaj.
Sipas tij, kjo çon në konkludimin se ka gabime dhe se gabimet nuk janë të natyrës së fryrjes dhe ngarkimit me kilovatë të tepruar, por gabime të natyrës njerëzore në lexim dhe mos qasje në lexim dhe ndërrim të orëve.
“Në bazë të këtij raporti do të kërkoj nga Bordi i KEK-ut që të marrë masat e duhura brenda KEK-ut për të gjitha gabimet që kanë rrjedh dhe konform gabimit të merren masat që të evidentohen”, tha Beqaj.
Ministri tha se janë krahasuar ankesat që janë dorëzuar në KEK në periudhën e njëjtë të viteve 2011-1012 dhe tash, dhe është vërtetuar se numri i ankesave është përafërsisht i njëjtë.
Një çështje tjetër që ka ngritur ministri Beqaj, e që është deklaruar edhe nga ZRRE është problemi që mosleximi i orëve mund të çojë në ndryshimin e bllok tarifave, andaj tha se ZRRE dhe Kuvendi duhet të rishikojnë çështjen e tyre dhe se a duhet të jenë 2 apo 3 bllok tarifa  dhe cili është niveli i kalimit, ngase kalimi nga një tarifë në tjetrën është me kosto mjaft të lartë.
Numri një i MZHE-së ka siguruar qytetarët se në rastet që ka gabime e gjithë mbingarkesa do t’u rimbursohet dhe për këtë nuk duhet të ketë shqetësim, ndërsa për gabimet nga neglizhenca apo të qëllimshme do të merren masa disiplinore.
Ai me këtë rast ka ftuar sërish të gjithë konsumatorët që kanë dilemë se janë të mbifaturuar të ankohen dhe ankesa e tyre do të trajtohet dhe do të ketë transparencë të plotë dhe se ky ka qenë qëllimi i formimit të komisionit.
Sa i përket saktësisë së matjeve të orëve digjitale përgjegjës, ministri përsëriti se kjo është përgjegjësi e Departamentit të Metrologjisë në MTI, i cili ka siguruar që orët në fjalë kanë matje të saktë.

energjia.al, 15.02.2013