Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Lehtësi ligjore për TAP, liberalizohet tregu i gazit

Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi projektligjin që liberalizon tregun e gazit natyror në Shqipëri, duke i hequr ekskluzivitetin e transmetimit kompanisë Albpetrol. Liberalizimi i këtij tregu vjen në një kohë kur pritet vendimmarrja për projektin ndërkombëtar të gazsjellësit që do të transportojë gazin nga Azerbajxhani drejt Europës.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Stavri Dhima tha se këto ndryshime ligjore i paraprijnë përgatitjeve infrastrukturore për shtrirjen e tubacioneve të gazit, për 2 projekte kryesore që kalojnë në Shqipëri, ai Trans Adriatik dhe projekti Jonian Adriatik. Në rast se projekti Trans Adriatik shpallet fitues për tranportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës, atëherë në Shqipëri pritet të nisin punimet për ndërtimin e tubacioneve.
Shteti shqiptar, i përfshirë në negociata intensive me konsorciumin e TAP, është angazhuar për të krijuar lehtësi në zbatimin e projektit duke krijuar lehtësitë ligjore dhe infrastrukturore për këtë projekt. Nga ana tjetër, kalimi i tubacioneve në Shqipëri do të rrisë shanset edhe për ndërtimin e një gazsjellësi tjetër nga Shqipëria drejt Kroacisë, duke e kthyer vendin tonë në një vend strategjik për energjinë në rajon.

TV Scan, 29.01.2013