Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova dëshiron të thellojë marrëdhëniet tregtare me Turqinë

Do të ishte shumë mirë për të dyja anët nëse Turqia trajton Kosovën si vend për aktivitete të kontraktimit të jashtëm, theksoi dje Ministri Kosovar për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, duke shqyrtuar mundësitë e zhvillimit të lidhjeve tregtare me Turqinë.
Kompanitë turke në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rindërtimin e vendit, por duhen më shumë investime dhe marrëdhënie më të thella ekonomike, theksoi Ministri Kosovar për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj.
“Investitori më i madh i huaj në Kosovë është Gjermania. Austria dhe Zvicra janë shumë aktive, po ne dëshirojmë që Turqia të jetë në maje të listës. Ne mendojmë që nëse Turqia trajton Kosovën si vend për aktivitete të kontraktimit të jashtëm, kjo do ishte mirë për të dyja palët,” tha Beqaj për Ditoren Hürriyet në një intervistë në Stamboll.
Beqaj vizitoi kryeqytetin turk, Ankaranë, si dhe Stambollin dhe Bursën javën e kaluar, duke u takuar me zyrtarë të ndryshëm turq.
Kosova dhe Turqia janë duke e negociuar një “marrëveshje asimetrike tregtare” për të përmirësuar partneritetin e tyre ekonomik, për të hapur tregun e Turqisë për produktet e Kosovës, siç janë produktet e industrisë së verërave, e cila është në rritje gjithnjë më të madhe, tha Beqaj.
Turqia ishte një nga shtetet e para që zyrtarisht kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur më 2008; Kosova më vonë u bë anëtare në Bankën Botërore dhe FMN më 2009. Sot, ajo njhet nga më se 90 shtete, por nuk është anëtar i OKB-së.
Përderisa ekonomia e saj është në rritje, vendi i 1.7 milionë banorëve është duke bërë përpjekje për të zënë hapin e vendeve tjera të ish Jugosllavisë dhe fqinjit, Shqipërisë, në kuptim të zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
Ndihma për infrastrukturën
Beqaj tha se firmat turke kanë ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës në Kosovë, duke përfshirë ndërtimin e autostradës 117 kilometërshe që lidhë Kosovën me Shqipërinë, si dhe aeroportin e vetëm të Kosovës, të dyja të ndërtuara nga kompani turke.
“E kemi një konsorcium, Bechtel-Enka – Bechtel nga SHBA-ja dhe Enka nga Turqia – të cilat janë duke e ndërtuar autostradën nga Kosova për në Shqipëri,” theksoi ai.
Një konsorcium francez – turk, Limak& Airports de Lyon, ka fituar tenderin për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Një tjetër investim i rëndësishëm është bërë nga konsorciumi Limak-Çalık për menaxhimin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë në Kosovë për 15 vitet e ardhshme.
“Kompanitë turke duhet të vijnë dhe të prodhojnë në Kosovë. Ne mendojmë se marrëdhëniet po shkojnë mirë, por ne i inkurajojmë kompanitë turke që të themelojnë fabrika prodhimi në Kosovë,” tha ai, dhe shtoi se sektori i tekstilit në veçanti ka pasur të ardhme të ndritshme në vend.

energjia.al, 22.11.2012