Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Beqaj: Roli i shtetit është krijimi i legjislacionit dhe infrastrukturës ligjore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha dje se roli i shtetit në zhvillimin ekonomik është krijimi i legjislacionit dhe infrastrukturës ligjore.
Duke marr pjesë në konferencën kushtuar industrisë së rëndë organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe STRASS, ministri Beqaj ka thënë se kjo çështje duhet të ndahet në dy faza; nën një të flitet për rolin e shtetit, për parametrat rregullativ, për parametrat legjislativ, orientimet afatgjata; dhe nën dy për rolin e ekonomisë, rolin e tregut, i cili definon se sa dikush mund të jetë në treg.
“Në këtë kontekst Qeveria e Republikës së Kosovës është me vizion të qartë. Unë e kuptoj në parim që jemi mësuar nga sistemi i kaluar që strategjitë zhvillimore të jenë me qindra e qindra faqe, të cilat janë të pakuptueshme në 90% të asaj çka shkruan për ata njerëz të cilët e lexojnë, pa afate kohore, pa efekte të mekanizmave matës. Ne kemi përgatitur një dokument, i cili është me afate kohore, me efekte matëse, me veprime konkrete, me adresë se kush duhet të marrë atë veprim se çka duhet të marrë dhe në bazë të këtyre kemi ndërtuar vizionin. Vizioni për zhvillimin ekonomik të Kosovës është që të ketë sektor, i cili është funksional, i cili mund të konkurrojë në tregun vendor dhe në atë ndërkombëtar, të ketë bazë legjislative, e cila e favorizon zhvillimin e industrisë, të ketë infrastrukturë, e cila i ndihmon ato për t’u zhvilluar dhe normalisht Qeveria të tërhiqet komplet nga biznesi”, tha ministri Beqaj.
Ai tha se këto janë orientime filozofike zhvillimore, të cilat duhet t’i trajtojmë, sepse shumë vende në botë janë zhvilluar në këtë kontekst.
“Nuk janë zhvilluar duke i subvencionuar, nuk janë zhvilluar duke i përkrahur dhe duke i ndërtuar ndërmarrjet sociale, prandaj në këtë kontekst dua të them që për të gjithë ata të cilët duan të flasin për vizionin dhe strategjinë e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës jam i gatshëm ta organizojë një debat tjetër dhe të ulemi dhe të flasim në detaje, dhe jo të sjellim konkludime,  të cilat mendoj janë sipërfaqësore”.
Ministri Beqaj tha se nëse flasim për rolin e industrisë së rëndë mund të themi se është shumë vital dhe dy veprime konkrete të cilat janë bërë, është në një që të krijohet një strategji, e cila parasheh zhvillim të këtij sektori deri në vitin 2025.
“Do të isha shumë i lumtur që dikush prej jush ta ketë lexuar strategjinë dhe të mund të thotë elemente të kësaj strategjie, a është mirë apo është keq, apo ku ka ndonjë hendek në këtë strategji. Është një strategji e cila është punuar nga numër i madh i ekspertëve që merren më këto lëmi, nuk është strategji që e ka punuar MZHE, por kryesisht njerëz të shkencës, të fakulteteve, njerëz që punojnë sot në këto kompani”.
Kjo strategji, sipas ministrit Beqaj ka tri synime kryesore: parimi themelor është që ta mbushin atë zbrazëtirën që e kemi në edukim, sepse kemi pasur një shkëputje në industri dhe këto janë synimet të cilat duhet të arrihen. Element tjetër është  rivitalizimi dhe ndërtimi i kapaciteteve përpunuese, jo nxjerrja e xeheve dhe shitja, por ngritja e kapaciteteve prodhuese, përpunuese të cilat do ta rrisin vlerën ekonomike të eksportit për njësi.
“Në këtë drejtim është një Plan Veprimi, të cilin ne duhet ta analizojmë veç e veç, dhe aty del se Ministria dhe të gjithë ekspertët janë duke punuar në këtë Plan Veprimi që duhet të parashihet në baza vjetore se çka duhet të bëhet”.
Elementi i tretë është trajtimi i ambientit nga këndvështrimi i aktiviteteve minerare, sepse ka gjëra të cilat kanë ndodhë dhe kanë mbetur ashtu të patrajtuara. Kemi industri të cilat e kanë shfrytëzuar një pjesë të lëndës së parë dhe nuk kanë mundur, për shkak të teknologjisë, ta ekstraktojnë deri në fund.
Si rezultat i kësaj strategjie kanë dalë një mori dokumentesh të tjera, si Ligji për Mbetjet Minerare, Ligji për Miniera dhe Minerale, i cili duhet të rifreskohet me orientim të qartë për hapjen e trajtimit dhe përdorimit të resurseve tona, jo vetëm për linjit për djegie, por edhe për industrinë kimike, të përpunimeve.
“Nëse flasim për Ferronikelin, Trepçën, Sharrcemin, nuk dua të hyjë në detaje, sepse të dhënat të cilat na u prezantuan këtu janë sipërfaqësore, janë të dhëna telegrafike, të cilat mund t’i marrim për 10 minuta dhe nuk na jep efekt të mjaftueshëm për t’i debatuar problemet e tyre thelbësore. Edhe këtu ka strategji”. Çështja e Trepçës është keqpërdorur shumë nga akterë të ndryshëm.
“Po ua them se Qeveria e Kosovës ka proceduar me ligje, të cilat e adresojnë çështjen e Trepçës, ka bërë një ligj të veçantë, i cili quhet Ligji për Ndërmarrjet për Interes të Veçantë për Shtetin, Ligjin e veçantë për Agjencionin e Privatizimit dhe Ligjin e veçantë i cili trajton çështjet e pronësisë dhe privatizimet në Gjykatën Supreme. Asnjëherë nuk është folur në asnjë institucion  për modelet e privatizimit të Trepçës”.
Modeli i orientimit ekonomik të Kosovës është zgjedhur, tha ministri Beqaj dhe theksoi se kjo Qeveri është përcaktuar për ekonomi të tregut, për ekonomi e cila do t’i respektojë mundësitë për ta rritur vlerën konkurruese të ndërmarrjeve.
“Brenda saj, po ashtu është përcaktuar që biznesin ta bëjë sektori privat, është përcaktuar që qeveria të merret sa më pak me biznes. Pra, ky është vizioni të cilin ne e kemi. Në vizion ka shumë gjëra, të cilat duhet të trajtohen, të shpjegohen në detaje, të konsultohen me biznesin. Si rezultat i kësaj e me qëllim të konsultimit të biznesit, e kemi formuar një komision, i cili quhet Komisioni Nacional për Zhvillim Ekonomik, dhe i cili takohet në baza mujore dhe ka njerëzit meritorë, dhe përfaqësuesit e tri odave (OEK, OEAK, AKB)”.
Tash nuk mund të thuhet se Qeveria po ndërton koncept të zhvillimit ekonomik pa u konsultuar me biznesin, përderisa ka takime mujore obligative ku trajtohet secili problem veç e veç, ku trajtohen idetë e marrjes së  vendimeve, ku trajtohet se cilat janë efektet e ligjeve, tha ministri Beqaj.
Kreu i MZHE-së tha se edhe në takimin e ministrave të energjetikës në Budvë të Malit të Zi ka kërkuar që në rekomandimet përfundimtare të hyjë propozimi që shoqëria civile të konsultohet në masën maksimale për të gjitha projektet, por është refuzim jo vetëm në Kosovë, por gjithkund në botë që shoqëria civile të jetë pjesë e vendimmarrjes.
“Për vendimmarrje duhet të kalohet nëpër proces zgjedhor, por gjithsesi mediat, profesionistët, njerëzit  e shkencës me një fjalë  e gjithë shoqëria civile janë të mirëseardhur që të diskutojnë gjërat, të cilat janë në diskutim e sipër. Pra, jo vetëm të marrin rolin e avokatit, kjo u bë keq e kjo u bë keq. Pajtohem  që ka shumë gjëra keq dhe që Kosova duhet t’i përmirësojë, por të flasim edhe për anën tjetër, ta flasim anën e asaj që sot BB po vlerëson se me përjashtim të Kosovës, të gjitha shtetet do të hyjnë në recesion. Rritja ekonomike që po bëhet në Kosovë mund të  ëndërrohet nga vendet e tjera”, tha ministri Beqaj.
“Cila prej Qeverive në rajon është Qeveri që investon 40 për qind të buxhetit të saj në investime kapitale. Kemi një makrostabilitet shumë të fuqishëm financiar dhe sigurisht që me ligjet dhe strategjitë të cilat i kemi bërë ne i kemi dhënë orientimin. Vetëm gjatë këtij viti MZHE ka nënshkruar mbi 80 milionë euro investime në ndërmarrjet publike nga donatorët dhe nga buxheti komunal dhe qendror, duke filluar nga Ujësjellësi i Prishtinës trajtimi i ujërave në Prizren, Gjakovë e numër të projekteve, të cilat mund të vini dhe t’i merrni”.
Ai në fund theksoi se është i hapur të diskutojë në mënyrë profesionale, të argumentuar, faktike një nga një dhe të ballafaqohen mendimet lidhur me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit.

energjia.al, 13.11.2012