Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ padit Kadelin për dhunë. Deputeti: Kompania po kryen krim

Kompania CEZ ka kryer një padi ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli, me pretendimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësit P.M, gjatë aksionit për ndërprerjen e energjisë elektrike në Komunën Kolsh të Lezhës. Kadeli është deputet i Qarkut të Lezhës dhe kishte mbërritur në zonën e tij elektorale pas ankesave të shumta nga banorët e komunës dhe fshatrave përreth për mungesë dritash prej më shumë se 34 ditësh. Kadeli ka mbërritur ditën kur po kryhej aksioni, ku ishin të pranishëm edhe forca të policisë dhe kërkoi sqarime lidhur me kufizimet, që sipas tij, janë të padrejta.
Kompania CEZ thotë se deputeti ka goditur punonjësin e saj dhe rastin e ka denoncuar në Policinë e Lezhës. “Do të mbrojmë ligjërisht punonjësin tonë dhe do të mbështesim çdo ekip të kompanisë që sulmohet gjatë ushtrimit të funksionit”, thotë kompania. Por deputeti, i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, nuk pranon të ketë goditur njeri. “Sqarimi im me punonjësit e CEZ-it nuk shkoi deri në përplasje fizike, por kërkova llogari për padrejtësinë që u bëhet banorëve të zonës sime. Ata e paguajnë rregullisht energjinë elektrike dhe jam kategorikisht kundër atyre që nuk e paguajnë, madje kam ofruar ndihmën time te CEZ për realizimin e qëllimit. Dua t’i bëj me dije përfaqësuesve të CEZ se po kryen krime kundër popullatës në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur me strukturat e shtetit. Nuk mund t’i lejoj CEZ-it që të dënojë në mënyrë kolektive banorët e Komunës së Kolshit e Zejmenit. Si pronarë i mbështes në të drejtën që kanë, por kurrë nuk do t’i lejoj të shkelin mbi të drejtat e qytetarëve të cilët e kanë paguar energjinë elektrike”, deklaron Kadeli. Me indinjim ai thotë se kompania, në bashkëpunim me strukturat e shtetit po godasin padrejtësisht komunat me elektoral të majtë dhe se do të kryejë kallëzim sipas rastit. Sakaq, CEZ thotë se muajt e fundit, punonjësit e saj janë përballuar me dhunën në shumë raste dhe shpeshherë nuk kanë qenë të sigurt për ushtrimin e punës.

Gazeta Shqip, 03.11.2012