Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rezart Taçi pritet të prezantohet sot si përfaqësues i Vetro Energy

Biznesmeni Rezart Taçi, që zotëron grupin Taçi Oil dhe kompaninë e përpunimit të naftës ARMO, të cilët e bleu nga shteti rreth tre vjet më parë për 120 milionë euro, pritet që të prezantohet sot si njeriu kyç që qëndron pranë konsorciumit Vetro Energy, që ka blerë së fundmi Albpetrol për një shumë prej 850 milionë euro, si aksioner në një prej kompanive të konsorciumit, YPo Holdings.
Rezart Taçi renditet sot në një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Shqipëri. Përmes kompanive të tij, “Taçi Oil”, “Kuid” dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 34 miliardë lekësh në 2011-n (rreth 250 milionë euro), me një rritje prej 130% në raport me një vit më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të ARMO-s. Krahas biznesit të naftës, “Taçi grup”, vitet e fundit, është zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit “Alsat”, tashmë të shndërruar në “Albanian Screen”, ku ka investuar ndjeshëm për ndryshimin e formatit televiziv dhe në arsim, përmes shkollës private “Nobel”
Sot në orën 1, Vetro Energy do të japë një konferencë për shtyp.
Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka shpallur zyrtarisht fitues në mbledhjen e sotme kompaninë Vetro Energy, si fituese të tenderit për privatizimin e kompanisë shqiptare të naftës Albpetrol. Kompania kishte ofruar 850 milionë euro për blerjen e  Albpetrol dhe pak ditë më parë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Ministrisë së Ekonomisë e kishte vlerësuar atë të parën në renditje, duke i dhënë pikët maksimale.
Sipas të dhënave publike në faqen e vet të internetit, Vetro Energy Pte. Ltd. është një kompani operuese dhe menaxhuese me bazë në Singapore dhe Houston, që shënjestron investime në gaz dhe në naftë në mbarë botën.
Aksionerët e “Vetro Energy” janë “YPO Holdings” dhe “SilkRoad Equity”. SilkRoad Equity është një firmë globale investimesh me interesa në portofola të diversifikuara të kompanive publike dhe private.

Revista Monitor, 05.10.2012