Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK-u kampion i shkeljeve ligjore

Lëvizja Fol ka publikuar raportin “Monitoruesi i Prokurimit” për tremujorin prill-qershor 2012, në të cilin Korporatën Energjetike të Kosovës e ka nxjerrë në krye të listës së institucioneve që kanë bërë shkelje të ligjit të prokurimit publik. Sipas këtij raporti, KEK-u pasohet nga PTK-ja dhe Ministria e Infrastrukturës. Gjithashtu, ky raport përfshinë edhe shkeljet ligjore në prokurim që i kanë bërë komuna e Gjilanit, Vitisë, Ferizajt dhe Kamenicës.
Fidan Kalaja, menaxher i projektin në “Fol”, gjatë prezantimit të këtij raporti të enjten në një konferencë për media, ka thënë se ky është edhe një rezultat që tregon se sa institucionet bëjnë shkelje të ligjit të prokurimit publik.
“Të dhënat e këtij raporti në përgjithësi tregojnë njëfarë lloj recidivizmi, kushtimisht të themi, të shumë institucioneve sa i përket vazhdimit të parregullsive dhe keqpërdorimit në prokurimin publik, e në mesin e këtyre institucioneve, patjetër që ka prirë Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK), ku gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë evidentuar gjashtë tenderë në të cilët ka pasur shkelje ligjore gjatë realizimit të procedurave të prokurimit, duke u ndjekur pas nga PTK-ja dhe Ministria e Infrastrukturës me nga 3 tenderë”, ka thënë ai.
Sipas tij, KEK-u po e zbaton idenë se shkeljet në prokurimin publik janë garë, e cila, sipas tij, patjetër se duhet t’i prijë shkeljeve, keqpërdorimeve dhe aferave korruptive në prokurimin publik.
Ai duke folur për shkeljet ligjore nga institucionet në 13 tenderë, gjatë periudhës tremujore, ka potencuar dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të Kosovës në katër tenderë prej tyre, në të cilat ai ka thënë se kanë pasur qasje. Ai shtoi se vetëm në këta katër tenderë buxheti është dëmtuar për 2.6 milionë euro.
“Buxheti i Kosovës prej 13 tenderëve, ku prej tyre në të cilat ka pasur shkelje nga këto institucione për këta tre muaj, në vetëm katër procedura të prokurimit kemi arritur që t’i sigurojmë vlerat e kontratave dhe vlerat e tenderëve dhe vlera që është rrezikuar. Pra, buxheti i Kosovës është rrezikuar në gjatë realizimit të këtyre procedurave të prokurimit në rreth 2.6 milionë euro”, ka thënë ai.
Kalaja ka shtuar se për 9 procedurat e prokurimit publikë, gjatë këtyre tre muajve, të cilat janë evidentuar shkelje ligjore, nuk kanë arritur që të sigurojnë shumat e kontratave, për shkak se, siç tha ai, Ligji i Prokurimit Publik nuk lejon publikimin e kontratave dhe njoftimeve pa përfunduar procedura. Ai ka thënë se gjatë hulumtimit të këtyre 9 procedurave në fjalë, kanë evidentuar se shuma e këtyre kontratave ka qenë me shifra të larta, që me ligj të prokurimit është prej 100 mijë deri në mbi 500 mijë. Pra, ai thotë se vlera e cila potencialisht është rrezikuar që të keqpërdoret ka qenë shumë e madhe.
Ai ka pohuar se, edhe pse kanë pasur rastin që t’i shohin keqpërdorimet e tilla, nuk kanë pasur rastin që të shohin nga autoritetet kontraktuese, pra nga institucionet dhe ndërmarrjet publike që të dënojnë ose të suspendojnë zyrtarët e prokurimit dhe zyrtarë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës gjatë procesit të vlerësimit të ofertave dhe procedurave të prokurimit.
Kalaj si alarmante e sheh edhe çështjen se nga ana e hetuesisë nuk ka pasur hetim dhe ndjekje të rasteve të korrupsionit në prokurimin publik. Ai thotë se që nga tetori i vitit të kaluare e deri më tani, prokuroria vetëm për pesë raste ka shpallur aktakuza për personat e përfshirë në korrupsion në prokurimin publik. Sipas tij, rangu i zyrtarëve të përfshirë në korrupsion në prokurimin publik shkon nga zyrtarët e rangut më të ulët e deri te zyrtarët e lartë, siç është rasti me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Bujar Bukoshi.
Kurse Kenan Tore, koordinator i projektit, është përqendruar në detaje të raportit, duke shpalosur shkeljet ligjore në prokurim publik të Ministrive. Ai në krye të listës së shkeljeve në këtë drejtim e ka nxjerrë Ministrinë e Infrastrukturës, e cila ndiqet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë
“Ministritë që kanë shkelur dispozitat ligjore të prokurimit publik në gjithsej 4 tenderë. Ministria e Infrastrukturës me dy aktivitete të ndryshme prokurimi, bëhet fjalë të tenderin apo aktivitetin e prokurimit ‘Mirëmbajtja e rrugëve nacionale dhe regjionale 2011-2012’ dhe po ashtu ‘Ndërtimi i rrugës lokale R115 Prizren-Reçan’, kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në tenderin ‘Ndërtimi i palestrës sportive në Komunën e Klinës – faza e dytë’, si dhe Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në aktivitetin e prokurimit ‘Mirëmbajtja, zgjerimi dhe përforcimi i kadastrës, të vreshtave dhe industrisë së verës në rajonet e vreshtave të Republikës së Kosovës’”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se edhe komunat kanë bërë shkelje ligjore me gjithsej katër aktivitete të ndryshme prokurimi, ku ka përmendur komunën e Gjilanit, për të cilën ka thënë se ka shkelur dispozitat ligjore në rastin e anulimit të tenderit “Sanimi i rrugëve dhe trotuareve” dhe “Mirëmbajtja verore e rrugëve”. Për komunën e Vitisë ka thënë se ka bërë shkelje në aktivitetin e prokurimit “Zgjerimi dhe shtruarja me zhavorr e trotuarit të rrugës nga fshati i ri Ramjan”. Për komunën e Ferizajt ka thënë se ka bërë shkelje të dispozitave ligjore në procedurën e prokurimit me rastin e tenderit “Furnizim me sera familjare në Ferizaj”. Ndërsa për Komunën e Kamenicës ka thënë se ka bërë shkelje të ligjit të prokurimit publik me rastin e aktivitetit të prokurimit “Hartimi i projekteve ideore dhe kryesore Lot2.”
Kurse sa i përket dy kompanive, KEK-ut dhe PTK-së, Tore ka thënë se KEK është evidentuar së ka bërë shkelje të ligjit për prokurim publik në rastin e tenderit “Furnizim me shirit gome”, “Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të KEK-ut”, si dhe “Shitja e thëngjillit”. Ndërsa për PTK-në ka thënë se ka bërë shkelje me rastin e tenderit “Furnizimi dhe instalimi i kamerave monitoruese” dhe “Furnizim me set top box”.
Sipas tij, një rol shumë të mirë në këtë drejtim kanë luajtur edhe mediat, ku gjatë kësaj periudhe kohore mediat kanë publikuar gjithsej 62 artikuj të ndryshëm, ku prej tyre 21 kanë qenë raportime hulumtuese, kurse 41 sosh kanë qenë në formën e lajmeve.

Gazeta Express, 02.08.2012