Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Halimi: Ja si do të funksionojë Gjykata Administrative për biznesin

“Gjykata Administrative e Tiranës është në proces tenderimi nga zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor dhe sipas parashikimeve pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, po ashtu edhe Gjykata e Apelit Administrativ për Tiranën”, – tha dje ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, i cili shpjegoi procedurat e krijimit të kësaj gjykate. “Ndërkohë që do të rishikohet edhe vendosja e 5 gjykatave të tjera në hapësirat përkatëse. Fillimi i vitit të ardhshëm, janari apo shkurti saktësojnë edhe procedurën e fillimit të funksionimit të gjykatave administrative. Por kjo është pjesa e infrastrukturës”, – tha ministri. Ai shtoi se sipas parashikimeve ligjore dhe asaj që u diskutua në komisionin e Ligjeve, pritet që të krijohen 6 gjykata të nivelit të parë, një gjykatë apeli dhe një kolegj i lartë administrativ. “Ka dy momente për fillimin e punës së gjykatave administrative; i pari është hyrja në fuqi e ligjit, dhe momenti i dytë është momenti kur do të fillojë të funksionojë Gjykata Administrative”, – tha kreu i Drejtësisë. Halimi theksoi se kjo është parashikuar që të bëhet me dekret të Presidentit dhe me propozim të ministrit të Drejtësisë, i cili do të shikojë dhe do të marrë përsipër edhe zgjidhjen e infrastrukturës se ku do të vendoset kjo gjykatë. Ai tha se drafti që kalon në parlament ka të bëjë me krijimin e trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative, e cila do të jetë nga gjyqtarë që janë aktualisht në detyrë, pra nuk do të ketë prurje të reja nga gjyqësori apo jashtë gjyqësorit, por do të jenë gjyqtarët që janë aktualisht, të cilët do të shprehin dëshirën për t’u bërë pjesë e Gjykatës Administrative, do t’i nënshtrohen një provimi dhe vetëm në bazë të vlerësimit të provimit ata do të marrin emërimin. “Ky ishte konsensusi që u arrit në komisionin e Ligjeve. I gjithë ky proces gjatë këtyre muajve do t’i shërbejë hapjes së gjykatave administrative, fillimit të funksionimit të tyre, që unë besoj se do të jetë në fillim të vitit të ardhshëm, rreth muajit janar të 2013-ës”, – tha ministri. Afërsisht, nga ato pjesë të raportit dhe studimit që janë kryer nga ‘Euralius’ parashikohet që Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë të ketë një numër prej 14-18 gjyqtarësh. Gjykata e Shkallës së Dytë e Apelit do të ketë 6-8 gjyqtarë dhe pastaj është një studim i ‘Euralius’-it, i cili do të përfundojë sot lidhur me numrin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Numri i gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë Administrative do të bëhet i ditur ditën e hënë në komisionin e ligjeve dhe kjo do të kalojë në paketë edhe për Gjykatën Administrative. Ndërkaq, për Gjykatën e Lartë ky është një proces i rëndësishëm dhe i mirëmenaxhuar nga të gjitha palët, pasi kemi pasur dhe një konsulencë jashtëzakonisht profesioniste, siç janë ekspertët e BE-së.

Gazeta Mapo, 29.04.2012