Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhen gjurmët e Gazsjellësit TransAdriatik – detaje teknike e strategjike, si dhe ndikimi tek ekonomitë vendase

Arteria energjetike që do të kalojë nëpër Shqipëri për të furnizuar me gaz tregjet evropiane, edhe pse në fazën e projektit, ka rritur  interesin e njësive vendore, komunitetit e grupeve të interesit, por dhe shoqërive aksionere të TAP-it. Tashmë janë zbardhur plotësisht jo vetëm gjurmët e shtrirjes së Gazsjellësit Trans-Adriatik, por edhe shumë detaje teknike, strategjike, social-ekonomike etj. Në qarkun e Fierit, arteria ndërkombëtare energjetike përfshin komunat Strum, Zharrëz, Mbrostar, Dërmenas e Tropojë.
Tubacioni i gazit pasi vjen nga Berati, shtrihet në fshatin Velmish, përshkon komunat e sipërpërmendura dhe përfundon  në bregdetin e Semanit. Ende nuk është vendosur se ku do të ndërtohet stacioni i gazit, por mendohet në mes të kuadratit Mbrostar-Topojë, lumit Seman dhe kanalit kullues Levan-Darëzezë. Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës Fier, inxh. Vasil Ndreko prezantoi rëndësinë e madhe gjeo-strategjike dhe gjeo-ekonomike të këtij projekti madhor, që presupozon investimin më serioz të dekadave të fundit në Shqipëri.
“Ky projekt rrit peshën e qarkut Fier në planin gjeo-strategjik dhe atë social-ekonomik, ul koston për energjinë dhe prodhimet industriale, pasi do të zëvendësojë përdorimin e energjinë elektrike me gazin, i cili ka një çmim shumë më të arsyeshëm”, tha Ndreko.
Sipas tij, instalimi i rrjetit gazsjellës do t’i japi akses eksportit të energjisë elektrike. “Kalimi i arteries energjetike në zemër të turizmit natyror dhe historik fierak, natyrisht që do të  ushtrojë ndikimet e veta pozitive, pasi shoqërohet me një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës, shkallës së popullimit nga specialiste të huaj dhe nga vendi etj”,u shpreh ai. Megjithëse në fazën e hartimit të projektit, interesat për komunitetin e Fierit janë qartësisht  të dallueshme. Sipas Ndrekos, gjatë fazës së punimeve do të punësohen rreth 1500 punëtore e specialiste, do të ndërtohen rreth  40 km rrugë të reja dhe rehabilitohen rreth 90 km të tjera drejt fshatit Seman. Aksionerët e TAP dhe projektuesit kanë parashikuar që të lënë disa volume gazi për të furnizuar tregun shqiptar (rreth 1mmk gaz në vit). Specialistët dhe ndërtuesit, kryesisht do të jenë nga vendi.
TAP, korridori i shtrirjes dhe leverdia ekonomike
TAP (Gazsjellësi Trans- Adriatik) nis në Greqi, kalon nëpër Shqipëri dhe nëpërmjet detit Adriatik do të përfundojë në brigjet e Italisë jugore. Ky tubacion lidhet me rrjetin  e gazit të fushave të Shah Deniz, Azerbajxhan dhe do të furnizojë tregjet evropiane. Kapaciteti i transportit të gazit drejt Evropës në vitin 2017, pas përfundimit të rrjetit, planifikohet në 20 mmk në vit. Ai garanton furnizimin afatgjatë të Evropës me gaz, pasi e lidh atë me burimet e reja të bollshme të pellgut gazmbajtës të Kaspikut e më gjerë. Aksionerët e TAP-it, Etzel Gas Larger, Statoil dhe E.ON Ruhrugas, janë tre nga aktorët kryesore  të tregut energjetik në Evropë dhe kapitali i tyre i përbashkët llogaritet mbi 100 miliard euro.

Gazeta 55, 09.03.2012