Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sekretariati i Vjenës: Presim përgjigje nga Tirana. Shqipëria akuzohet se ka shkelur traktatin për liberalizimin e tregut te energjise

Sekretariati i Energjisë në Vjenë, një institucion i Bashkimit Europian që mbikëqyr tregun e energjisë në rajonin e Ballkanit, njoftoi se është ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Shqipëria në lidhje me ekskluzivitetin ligjor që i është caktuar KESH dhe CEZ Shpërndarje në kapacitetin e interkonjeksionit energjetik të vendit.
Zëvendësdrejtori i sekretariatit, dr. Dirk Buschle, tha në një intervistë telefonike për “Shqip”, se procedura e ankesës ndaj Shqipërisë “nuk është nisur nga ankesat e pjesëmarrësve të tregut, por është pjesë e punës së zakonshme të këtij institucioni”.
Një muaj më parë, sekretariati i dërgoi një letër Tiranës zyrtare, duke i kërkuar llogari se për çfarë arsyeje ka dhënë ekskluzivitet për 75 për qind të kapacitetit të transmetimit të energjisë në import, në një kohë kur Traktati i Energjisë që Shqipëria e ka nënshkruar, kërkon që linjat të jenë të hapura për këdo. Tirana ka kohë deri më 7 dhjetor për të dhënë përgjigje. Disa zyrtarë shqiptarë thanë nën zë që tregtarët e energjisë në Ballkan po bëjnë presion për liberalizimin e linjave, gjë që mund të shkaktojë kontroll privat mbi këto linja dhe çmime më të larta importi.
Buschle thotë se sekretariati ka identifikuar mangësi në legjislacion në Shqipëri, Serbi dhe Malin e Zi dhe se deri tani, Serbia i ka hequr kufizimet ligjore. Ai thotë se procedura ndaj Shqipërisë nuk është hapur si pasojë e ankesave nga tregtarët privatë. Disa zyrtarë shqiptarë ndërkohë kanë njoftuar jozyrtarisht se ekskluziviteti i CEZ Shpërndarjes në kapacitetin importues të vendit do të mbetet edhe pas ankesës së sekretariatit. Sipas Buschle, në rast se Shqipëria nuk e liberalizon tregun, sekretariati do të dërgojë një letër tjetër dhe në rast se Shqipëria refuzon sërish, atëherë çështja do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave të Energjisë së Ballkanit. Shqipëria nuk do të ketë penalitete financiare nga kjo shkelje e traktatit, por ekziston një rrezik teorik që opinioni i sekretariatit të përdoret si dokument në gjyqe që mund të hapen nga tregtarët privatë ndaj Shqipërisë. Sipas Buschle, ka shumë gjasa që kjo shkelje të përfshihet edhe në raportin e përvitshëm të progresit të Komisionit Europian mbi vendin tonë.
Pas hapjes së linjës Elbasan–Podgoricë këtë vit, Shqipëria po kthehet në një vend transit për energjinë elektrike në aksin Dalmacian deri në Greqi, ndërkohë që më parë ishte thjesht vend importues ose eksportues.

Gazeta Shqip, 24.11.2011