Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis abuzimi. Rritet çmimi i gazit të lëngshëm!

Në prag të stinës së Dimrit një prej aktiviteteve që lulëzon është edhe tregu i bombolave të gazit të lëngshëm. Prej vitesh ligjet e miratuara prej Parlamentit dhe qeverisë qëndrojnë në letër, por nuk zbatohen, duke u bërë jo në pak raste edhe shkak i rrezikimit të komunitetit të gjerë. Një prej tyre është kontrolli shpërndarja dhe tregtimi i bombolave të gazit. Problemi është aq i thellë saqë për vite me radhe flitet, por asnjëherë nuk është formalizuar ky treg që lulëzon në informalitet të plotë. Kjo është një prej situatave më  paradoksale në Durrës që tregon se si një bombol gazi 10 apo 15 litërshe tregtohet në çdo vend, pavarësisht rrezikut që mbart. Por nuk ka asnjë statistikë sa është sasia e gazit të lëngshëm që konsumohet, sa taksa vilen nga ky biznes, dhe sa i sigurt është konsumatori? Ashtu si edhe sa aksidente kanë ndodhur për shkak të plasjes së bombolave të gazit nëpër familje. Në spital të thonë se aksidentet e kësaj natyre janë në rritje nga viti në vit. Ka patur mjaft viktima si pasojë e shpërthimeve nga gazi përveç të plagosurve dhe janë raste që vijnë si nga qyteti ashtu dhe nga fshati bëjnë të ditur mjekët  në Spitalin e Durrësit
Çmimet
Duket se fillimi i stinës së ftohtë ka rritur edhe kërkesën në treg për këtë mall. Me rritjen e kërkesës është rritur edhe çmimi që i ofrohet klientit. Një bombol 15-litërshe kushton deri në 2000 lekë, 300 lekë më shumë se një vit më parë. Në tjetër bombol 10 litërshe, të cilat janë më të përdorshmet në treg, kushton jo më pak se 1300 lekë. Por duket se pavarësisht çmimeve, cilësia e gazit dhe sasia lënë shumë për të dëshiruar. Nuk ka asnjë siguri se malli që blihet ka sasinë e duhur dhe cilësinë e deklaruar.
Policia zjarrfikëse
“Tregtimi i bombolave të gazit në ambiente, ku tregtohen mallrat ushqimorë është i kundraligjshëm”, deklaron shefi i Policisë Zjarrfikëse të Durrësit, Et’hem Bardhi.  “Situata është kaotike në këtë drejtim sepse qysh në fillim depozitat e karburanteve dhe ato të gazit të lëngshëm janë ndërtuar pa leje e pa asnjë dokumentacion në qytetin e Durrësit. Ky lloj aktiviteti ka qenë tërësisht informal për vetë specifikën që mbart. Por pesha dhe kontrolli i sigurisë, i bombolave të gazit është përgjegjësi e Inspektorati të Enëve nën Presion dhe Peshëmatjes, të cilët duhet të marrin përgjegjësinë për çdo aksident të ndodhur”, tha Bardhi. Në fakt ky Inspektorat ka pasur dy inspektorë me detyrë në Durrës, por mësohet se janë transferuar në Tiranë. Ky inspektorat ka për detyrë të kontrollojë depozitat dhe të gjitha enët që përmbajnë gaz që përfshijnë depozitat  mijëra tonëshe deri tek bombolat e thjeshta të gazit për sasinë, cilësinë, dhe sigurinë para se të shkojnë tek konsumatori. Pikat e tregtimit të karburanteve janë ndërtuar ngjitur me blloqet e banimit e poshtë pallateve kanë ndërtuar edhe depozitat. Policia zjarrfikëse e hedh fajin tek pushteti vendor, i cili ka dhënë lejen e ndërtimit për këto subjekte.
Banorët: “Ka ardhur koha të ketë shërbim të specializuar”
Banorët në Durrës shprehen se duhet të ketë shërbim të specializuar për gazin e lëngshëm që përdoret gjerësisht në të gjitha familjet shqiptare dhe jo vetëm. Ashtu sikurse të gjithë mallrat që kanë rrezikshmëri të lartë edhe për gazin e lëngshëm duhet të ketë shërbim, të specializuar, që në fund të ketë një përgjegjës, për çdo problem të vërejtur, dhe jo vetëm në rastet kur ndodhin fatkeqësitë, dhe faji mbetet jetim. “Nuk jemi fare të sigurt me gazin në shtëpi, por është i vetmi artikull që na nxjerr nga situata”, thonë banorët.

Gazeta Telegraf, 09.11.2011