Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

METE, e vendosur në zbatimin e paketës së re ligjore për sektorin minerar

“Mos përmbushja e detyrimeve ligjore sjell revokimin e lejes minerare”
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi dje revokimin e lejes minerare të shfrytëzimit për shoqërinë “Tete Albania Tunnel & Mining” shpk.
Vendimi është marrë pas kontrolleve të vazhdueshme që METE po ushtron prej disa muajsh, mbi subjektet që ushtrojnë aktivitetin minerar në vendin tonë.
Revokimi i lejes minerare për shoqërinë “Tete Albania Tunnel & Mining” shpk është marrë nëpërmjet Urdhrit të Ministrit të METE, Nr. 546, datë 25/07/2011.
Nga kontrollet e ushtruara vërehet se në minierë nuk është punuar dhe nuk punohet. Shoqëria nuk ka realizuar detyrimet në përputhje me projektin e zhvillimit të aktivitetit minerar, ndërkohë që nuk rezulton të jenë paraqitur nga shoqëria bilanci financiar periodik e vjetor, marrëdhëniet financiare me banka, sigurimet shoqërore, drejtorinë rajonale të tatime, marrëdhëniet me doganat, si dhe pagesat e kryera të faturave të energjisë elektrike të konsumuar.
Ndaj, METE vendosi sot revokimin e lejes minerare të Shfrytëzimit Nr. 1068, datë 20/08/2007, dhënë shoqërisë “Tete Albania Tunnel & Mining” shpk, me koordinata dhe sipërfaqe të përcaktuara në objektin ish-miniera e bakrit Spaç, Mirditë, për shfrytëzimin e mineralit të bakrit.
Për sa i përket sektorin minerar në vendin tonë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka konstatuar se disa prej subjekteve nuk përmbushin detyrimet ligjore dhe në vend që të zhvillojnë lejet minerare që kanë marrë i mbajnë ato në konservim.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës garanton se, nuk do të lejojë asnjë kompani fantazmë apo sekserët e tyre që të mbajnë peng ekonominë shqiptare.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është e vendosur në zbatimin e legjislacionit në fuqi për sektorin minerar në vendin tonë.
Në këtë drejtim, METE kërkon nga subjektet që ushtrojnë aktivitetin minerar përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga hyrja në fuqi e paketës së re ligjore për sektorin minerar në Shqipëri, e cila përbëhet nga ligji Nr. 10 304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, 12 vendime të Këshillit të Ministrave dhe 19 Urdhra të Ministrit të METE.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka njoftuar sot 829 subjekte që ushtrojnë aktivitetin minerar në vendin tonë se, në rast se ato nuk do të plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë paketë ligjore, METE do të zbatojë sanksionet përkatëse.
METE njoftoi sot subjektet se do të merret masa e revokimit të lejes kur zotëruesi i saj nuk plotëson kushtet e mëposhtme.
1.Kur brenda 30 ditëve kalendarike nga data e çdo viti në vazhdim, që i korrespondon datës së hyrjes në fuqi të lejes, nuk paraqet dokumentin e garancisë financiare të zbatimit të planit të rehabilitimit, dokumentin e garancisë financiare të zbatimit të programit minimal të punës, dokumentin e garancisë të zbatimit të investimit.
2. Kur nuk paguan rentën minerare sipas afateve të legjislacionit në fuqi.
3. Kur shfrytëzon dhe trajton pa kriter mineralet në kundërshtim me projektin e miratuar.
4. Kur nuk respekton kërkesat e planit të rehabilitimit, të planit të mbylljes së veprimtarisë minerare dhe të planit të menaxhimit të mbetjeve.
5. Kur nuk paraqet informacionet e kërkuara nga struktura përgjegjëse, paraqet informacione të pavërteta apo pengon strukturën përgjegjëse në ushtrimin e funksioneve të inspektimit, në zbatimit të këtij ligji.
6. Kur nuk fillon veprimtarinë minerare brenda afatit të përcaktuar në ligj, nga data e hyrjes në fuqi të lejes.
7. Kur për dy vjet radhazi dështon në realizimin e 90 për qind të vlerës së investimit, që ka parashikuar në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare.
8. Kur nuk ushtron aktivitet minerar për 1 vit ose ndërpret veprimtarinë minerare, pa njoftuar më parë, jo më vonë se 90 ditë kalendarike, strukturat përgjegjëse të veprimtarisë minerare, duke përfshirë në njoftim dhe arsyet e këtij pezullimi ose ndalimi.

energjia.al, 26.07.2011