Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Nasip Naço zhvilloi një takim me përfaqësues të Bankës Botërore

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço priti sot në një takim Drejtoreshën Ekzekutive të Bankës Botërore në Uashington, znj. Jane Armitage dhe Drejtorin Ekzekutiv të Bankës, z. Piero Cipollone.
Në këtë takim, Ministri i METE dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi ecurinë e projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe mundësinë e projekteve të tjera të në ardhmen.
Z. Naço vlerësoi kontributin e Bankës Botërore për zhvillimin e reformave dhe ekonominë e vendit tonë, nëpërmjet financimeve të shumta dhe eficiente, kontributeve të suksesshme në infrastrukturë, veçanërisht në energjetikë, infrastrukturën e rrugëve rurale apo të rrugës Durrës-Kukës,në arsim, bujqësi, reformat rregullatore, mjedis, shëndetësi, në privatizime etj.
“Ne shprehim falënderime për kontributin e Bankës Botërore në reformat në Shqipëri, përmes përzgjedhjes të ekspertëve të BB të angazhuar në projekte me rëndësi për vendin dhe duke demonstruar profesionalizëm. Me ndihmë të BB, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e kuadrit rregullator për biznesin”, tha z. Naço. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për shkurtimin e kohës së bërjes efektive të projekteve të financuara nga BB pasi kjo është, në radhë të parë, në interes të palës shqiptare.
Gjithashtu, z. Naço shprehu angazhimin për plotësimin në kohë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjeve të financimit në kohë dhe me përgjegjësi.
Ministri i METE dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan edhe mbi ecurinë e projektit të Sigurisë së Digave, i cili ka si objektiv kryesor rritjen e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat. Nga të dyja palët u ra dakord se ky projekt i rëndësishëm ka qenë deri tani i suksesshëm dhe se do të realizohet në kohë. METE ka si objektiv të sajin rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të eficiencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike dhe nga burime të tjera të rinovueshme, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë. Z. Naço shprehu interesin e METE për ndihmë nga ana e Bankës Botërore për zhvillimin e infrastrukturës në sektorin energjetik, veçanërisht për sa i përket linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje. Një tjetër projekt i diskutuar mes Ministrit të METE dhe Bankës Botërore është dhe projekti BERIS, “Reforma institucionale dhe përmirësimi i ambientit të biznesit”, objektivi i të cilit është të ndihmojë qeverinë për të lehtësuar hyrjen dhe operacionet e biznesit në ekonominë formale, dhe të forcojë aftësitë e sektorit të ndërmarrjeve për të rritur eksportet drejt tregjeve rajonale dhe të BE. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën se, institucioni që ata përfaqësojnë do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë dhe qeverinë e saj, nëpërmjet realizimit të projekteve ekzistuese, por edhe nëpërmjet projekteve të tjera në të ardhmen.

energjia.al, 30.06.2011