Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri i Naço prezantoi dje paketën e re ligjore për sektorin minerar

Në këtë prezantim ishte i pranishëm dhe Zv.Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Neritan Alibali, drejtori i Drejtorisë Minerare dhe Industriale, z. Sokol Mati, përfaqësues të tjerë të METE dhe të institucioneve të varësisë, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit.
Në fjalën e tij, Ministri z. Naço theksoi se baza e re ligjore kërkon të japë një shtysë të re zhvillimit të sektorit minerar dhe realizimit të prioriteteve të zhvillimit, në drejtim të rritjes së prodhimit të mineraleve tradicionale dhe atyre të rinj, ristrukturimit të kapitalit minerar, rritjes së përpunimit të mineraleve, rritjes së eksportit të mineraleve me tendencë rritjen e eksportit të produkteve të përpunuara, tërheqjes së investitorëve vendas e huaj veçanërisht në veprimtaritë e kërkim-zbulimit, dhe vënies në efiçencë të rezervave minerale me kapacitete të mëdha. Më poshtë gjeni të plotë prezantimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Prezantimi i paketës ligjore nga Ministri i METE:
Organizimi i këtij takimi për prezantimin e paketës së re ligjore për sektorin minerar është pjesë e detyrave të këtij institucioni për realizimin e reformave në sektorin minerar, që vlerësohet si sektor shumë i rëndësishëm për punësimin, rritjen e të ardhurave dhe zhvillimin e vendit, veçanërisht në zonat rurale.
Me këtë rast do të shprehja falënderimin për pjesëmarrjen në këtë takim të gjithë përfaqësuesve të grupeve të interesit, që janë aktorët kryesor të zhvillimit të kësaj industrie në Shqipëri.
Prezantimi i bazës së re ligjore do të ndihmojë institucionet shtetërore dhe gjithë aktorët e përfshirë në veprimtarinë minerare për të pasur një pamje të qartë të bazës së re legjislative për këtë sektor.
METE ka tashmë një bazë të konsoliduar politikash dhe programesh, të cilat janë pjesë integrale e programit të Qeverisë, politika e strategji që kërkojnë të plotësojnë synimet afatgjata të zhvillimit.
Industria minerare në Shqipëri sot zhvillohet tërësisht nga sektori privat, kjo industri ka realizuar plotësisht fazën e saj të parë të reformimit, duke bërë që sot prodhimi nga ky sektor të jetë rreth 6 milion ton minerale, të punësoj mbi 7000 punonjës, kryesisht nga zonat rurale, të angazhoj rreth 800 njësi biznesi të vogla dhe të mesme, të ketë një shpërndarje në të gjithë territorin dhe të rritet gama e mineraleve të nxjerrë dhe të zbuluar.
Kjo bazë e re ligjore i përgjigjet stadit aktual të zhvillimit të sektorit minerar, ajo kërkon të realizojë një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit minerar duke respektuar ambientin ku jetojmë dhe marrë në konsideratë kërkesat e komunitetit minerar dhe komunitetit në përgjithësi, duke shndërruar veprimtarinë minerare në një veprimtari të certifikuar prej tij.
Baza e re ligjore kërkon të japë një shtysë të re zhvillimit të sektorit minerar dhe realizimit të prioriteteve të zhvillimit, në drejtim të rritjes së prodhimit të mineraleve tradicionale dhe atyre të rinj, ristrukturimit të kapitalit minerar, rritjes së përpunimit të mineraleve, rritjes së eksportit të mineraleve me tendencë rritjen e eksportit të produkteve të përpunuara, tërheqjes së investitorëve vendas e huaj veçanërisht në veprimtaritë e kërkim-zbulimit, dhe vënies në efiçencë të rezervave minerale me kapacitete të mëdha.
Kjo paketë e re ligjore ka marrë në konsideratë:
• Eksperiencën dhe problematikat e hasura gjatë periudhës 17 vjeçare të reformimit te sektorit minerar dhe aplikimit të ligjit minerar të miratuar në vitin 1994.
• Disa nga Direktivat e BE të lidhura kryesisht me problematikat e sigurisë në pune, mbrojtjes së shëndetit të punonjësve, mbrojtjes dhe rehabilitimit të mjedisit, trajtimit të mbetjeve dhe riciklimit të tyre.
• Guidën ligjore të Kombeve te Bashkuara për hartimin e bazës ligjore minerare.
• Konkluzionet dhe Rekomandimet e dy studimeve të hartuara se fundmi nga Banka Botërore për sektorin minerar në Shqipëri.
• Konkluzionet e Rekomandimet e studimit të Master-Planit për zhvillimin e sektorit minerar në Shqipëri si dhe rezultatet e shumë studimeve, projekteve të hartuara për sektorin minerar gjatë këtyre dy dekadave, të cilat përfshijnë punën e shumë specialisteve shqiptar që i kanë realizuar ato.
• Eksperiencat legjislative të disa vendeve me industri minerare (nxjerrëse dhe përpunuese) të zhvilluar si Kanadaja, Australia, Afrika e Jugut, si dhe një seri vendesh të tjerë si Austria, Italia, Franca, Gjermania, Japonia, Greqia, Finlanda, Rumania, Sllovenia, Suedia, Turqia, etj.
Paketa e re ligjore përbëhet nga ligji nr.10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë ” si dhe 12 Vendime të Këshillit të Ministrave dhe 19 Urdhra të Ministrit si akte nënligjore në zbatim të tij.
Kjo paketë e re ligjore sjell koncepte të reja për planifikimin minerar si pjesë e planifikimit territorial, miradministrimin e pasurive minerare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre nëpërmjet përcaktimeve të sakta ligjore për mënyrën e dhënies së të drejtave minerare, dhe realizimit të një mbikëqyrje e monitorimi efektiv për t’i kthyer këto veprimtari në fitimprurëse për shtetasit shqiptar dhe garantuar një mjedis të pastër duke mos cënuar kështu prioritetet e zhvillimit të vendit.
Koncepti i ri i transparencës nëpërmjet publikimit të zonave minerare si dhe publikimin on-line të tyre, procedurat konkurruese në dhënien e të drejtave minerare, koncepti i garancisë financiare për investimin dhe rehabilitimin e mjedisit kërkojnë të realizojnë një tërheqje sa më të madhe të investitorëve serioze dhe efektiv, eliminimin e shumë fenomeneve negative që kanë rezultuar në investimeve jo efektive, mos-copëzimin e trupave minerare, forcim të kapitalit minerar dhe përqendrim të tij, për të krijuar mundësitë e shtimit të vlerës së mineraleve nëpërmjet rritjes së produkteve të përpunuara minerale në vend, si mundësi për rritjen e të ardhurave nga ky sektor, rritje të punësimit, dhe krijimit të profesionisteve të rinj.
Ndarja e qartë e detyrave të institucioneve që hartojnë politikat e zhvillimit(METE), mbikëqyrëse e monitoruese AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) dhe SHGJSH (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), të leje-dhënies QKL (Qendra Kombëtare e Licencimit), të kontrollit te sigurisë dhe shëndetit të punonjësve RISHM (Reparti Inspektim Shpëtimit të Minierave) garanton një zbatim me efektivitet të kësaj baze të re ligjore.
Duke shfrytëzuar këtë komunikim me median më lejoni të informoj opinionin publik se METE, kundrejt disinformimeve në ndonjë media të shkruar, po ndërmerr një reformë të thellë në sektorin mineral duke i dhënë fund praktikës “një kazmë një galeri ” dhe duke i dhënë dritë jeshile investimeve strategjike në këtë sektor.
Më lejoni të saktësoj se kompanitë vendase dhe të huaja do të futen në garë mes tyre në marrjen e lejeve të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit, në mënyrë që ta kthejmë këtë sektor në një industri të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik.

energjia.al, 29.06.2011