Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Faturat e energjisë, nga sot printohen nga interneti

Fatura e energjisë elektrike, që nga dita e sotshme mund të merret nga interneti. Lajmin e kanë bërë të ditur burimet zyrtare në CEZ Shpërndarje, e cila përuron sot një shërbim të ri që ju jep mundësi klientëve për të parë e printuar online faturën e energjisë. Ky shërbim e-bill do të lançohet sot. Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj klientëve, CEZ Shpërndarje u ofron klientëve versionin elektronik të faturës mujore së energjisë, e njohur ndryshe si e-bill. Shërbimi e-bill mundëson shikimin dhe printimin e faturës online për çdo klient. Veç kësaj, tani online çdo klient mund të kontrollojë konsumin mujor të energjisë, ta printojë faturën, apo të shohë edhe historikun e faturave të tij, deri në gjashtë muaj. Deri më tani, faturat e energjisë elektrike, përveçse të shtrenjta për konsumatorin, janë kthyer në makth për t’u paguar. Prej disa muajsh, faturat nuk mbërrijnë më në shtëpitë e qytetarëve. Tashmë qytetarët, që të paguajnë energjinë duhet të vijnë në qendër të Tiranës, të mbajnë radhën për ta marrë faturën e më pas të kthehen për ta paguar atë në zyrat e pagesës. “Fatura vazhdimisht nuk na vjen. Edhe kur vjen, zëmë radhën këtu dhe mezi i paguajnë. Jemi detyruar të presin 2-3 orë se ka njerëz shumë”, shprehet një qytetar. Sistemi i ngatërruar i adresave ka shkaktuar kaosin me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike. CEZ Shpërndarje deklaron se, e ka të pamundur t’i shpërndajë në kohë, pasi adresat e konsumatorëve nuk janë të sakta dhe shumë të vështira për t’u identifikuar. Prej tre muajsh, abonentët e CEZ-it janë duke u përballur me radhë të gjata në zyrat e “Kujdesit ndaj Klientit”, të gjitha këto të shkaktuara nga mungesa e shpërndarjes së faturave dhe problemeve teknike. Qytetarët shprehen të revoltuar për mungesën e korrektesës nga ana e kompanisë. Ata tregojnë se, kanë parë faturat e tyre të hedhura në koshat e CEZ-it dhe nuk dërgohen pranë konsumatorëve.

Gazeta Mapo, 19.04.2011