Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Toka e premtuar e biolëndëve djegëse

Toka e premtuar e biolëndëve djegëse

Amyris shfrytëzon përparimet e fundit të biologjisë sintetike për të shpikur substanca të reja me përdorime të shumta dhe për të transformuar teknologjinë e saj, i ka hedhur sytë nga vendi i sheqerit: Brazili

Sheqeri që do të shpëtojë miliona jetë

Amyris, një kompani kaliforniane, shfrytëzon përparimet e fundit të biologjisë sintetike për të shpikur substanca të reja me përdorime të shumta. Duke dashur ta transformojë teknologjinë e saj, i ka hedhur sytë nga vendi i sheqerit: Brazili.

Autostrada Anhangüera ma katër korsitë e saj shtyhet në verilindje të San Paolos, kryeqytetit financiar të Brazilit, drejt disa prej zonave më produktive të botës. Nga rruga mund të vërehen plantacione eukaliptesh plot gjethe dhe shtrirje të mëdha kullotash të mbushura me grumbullime termitesh. Fushat e kallamsheqerit shikohen në majë të kodrave.

Po të kthehesh nga e djathta në kilometrin 104.5, hyhet në Techno Park, një qendër kërkimore shumë e organizuar, që mënjeherë të sjell në mendje periferinë kaliforniane. Jo rastësisht. Në një ndërtesë jo larg nga hyrja gjenden vende pune të sistemuara me kujdes, serbatorë të ndritshëm për fermentim dhe centrifuga të zhurmshme. Të gjitha këto makineri janë kopja e saktë e atyre të pranishme në stabilimentin Emeryville të Kalifornisë. Deri varëset e rrobave janë identike.

Struktura përfaqëson avampostin brazilian të Amyris Biotechnologies, një grup kërkuesish amerikanë të njohur pse kanë marrë financimet e Fondacionit të Bill e Melinda Gates që të bëjnë më lehtësisht të disponueshme ilaçet antimalarike, në të kundërt jashtëzakonisht të vështirë për t’u gjetur. Themeluesi i saj, Jay Keasling, konsiderohet një pionier i biologjisë sintetike dhe projekti mbi malarien, që mund të shpëtojë disa mijëra jetë, është reklamizuar nga revista e përjavshme "Neë Yorker". Majin e kaluar, Keasling ka marrë Biotech Humanitarian Award e parë nga ana e Biotechnology Industry Organization.

Por dihet shumë më pak për 170 milionë dollarët në kapital të riskuar që Amyris ka investuar në sektorin e biolëndëve të djegshme dhe të qëllimit të saj për të prodhuar një fetë të mirë të saj në Brazil. Roel Collier, drejtuesi belg i Amyris në Brazil, përveçse flet një portugeze të shkëlqyer, ka qëllim që të vërë në funksionim një serbator të çeliktë 12 metra të lartë në të cilin maja gjenetikisht të modifikuar të shoqërohen me lëngun e kallamsheqerit, që është me bollëk në vend. "Sfida përfaqësohet nga bashkimi i teknologjisë amerikane pararojë me avantazhin kompetitiv të Brazilit", shpjegon ai.

Në dy vitet e fundit, Collier është ngarkuar që të dërgojë autobote me lëng kallamsheqeri brazilian të ngrirë në laboratorin e Amyris në Kaliforni, rreth 10000 kilometra larg. Në këtë strukturë, shkencëtarët kanë manipuluar gjenetikisht qeliza normale majaje për të transformuar caldo de cana, siç quhet lëngu në fjalë, në farnesenë, një vaj i parfumuar që Amyris e ka konvertuar në biodizel. Në fushën në evolucion të vazhdueshëm të biologjisë sintetike – një disiplinë që dëshiron të rishkruajë ADN-në e mikroorganizmave sikur të bëhej fjalë për një kod kompjuterik – laboratorët kalifornianë të Amyris konsiderohen si ajka e ajkës. Kërkuesit krijojnë dhe eksperimentojnë dhjetëra mijëra varitete majashë të modifikuara çdo javë. Kompania ka në organikën e saj një numër ekspertësh gjenetike të majave të barabartë me atë të të gjitha universiteteve braziliane. Por Brazili i ofron Amyris një avantazh të rëndësishëm kundrejt Shteteve të Bashkuara: kushtet ekonomike lejojnë që të shfrytëzohet komercialist teknologjia. Vendi jugamerikan është prodhuesi më efiçent në botë i sheqerit. Në 420 rafineritë e kallamsheqerit, produkti grumbullohet në mullarë të lartë. Falë klimës tropikale dhe politikës tregtare agresive, Brazili dominon tregtinë globale të sheqerit. Kjo disponueshmëri e madhe e sheqerit me kosto të ulët është çelësi fitues për të zhvilluar teknologjinë e Amyris.

"Motivi për të ardhur në Brazil është mjaft i dukshëm: është burimi i sheqerit më ekonomik dhe më lehtësisht i disponueshëm për të mbështetur platformën teknologjike", thotë Keasling, Profesor i Inxhinierisë Biokimike në University of California at Berkeley dhe Përgjegjës i Joint BioEnergy Institute, i financuar me 135 milion dollarë nga Departamenti amerikan i Energjisë për nxjerrjen e sheqerit nga copat e drurit, barishtet dhe substanca të tjera vegjetale me çmim të mirë. Brenda një periudhe që shkon nga 10 deri në 15 vjet, Shtetet e Bashkuara do të mund të sigurojnë molekula sheqeri me kosto të ulët siç ndodh tashmë normalisht në Brazil. Megjithatë, sot për sot, industria amerikane e biolëndëve të djegshme vazhdon të prodhojë metanol nga fermentimi i glukozës së kokrrave të misrit. Misri është një burim relativisht i kushtueshëm për sheqerin, siç e ka kuptuar industria amerikane e etanolit në kurrizin e saj. Pavarësisht financimeve të kontribuuesve, prodhuesit amerikanë nuk kanë arritur të realizojnë fitime të pranueshme.

Historia është e ndryshme në Brazil, ku stabilimentet e kallamsheqerit kanë dhënë etanol me çmim të mirë që më parë, në vitet ’70, qeveria ka ndërmarrë një betejë për ndërvarësinë energjetike. Automobilat e vendit jugamerikan konsumojnë tani më shumë etanol sesa benzinë. Pothuajse 90 përqind e veturave të prodhuara në Brazil i besojnë biokarburanteve. Industria është ndërgjegjësuar se "gjeografia është fati", pohon Mark Bunger, Drejtor i Kërkimeve të Lux Research, një kompani nga New York që merret me komercializimin e teknologjive emergjente. Nga këndvështrimi i Bunger, vetëm disa vende të planetit posedojnë kombinimin e diellit, të shirave dhe të sasive të tokës së nevojshme për prodhimin e biolëndëve djegëse në sasi të tilla dhe me kosto aq të ulëta sa të kenë një impakt të konsiderueshëm. "E kemi kuptuar se kjo nuk mund të ndodhë kurrë kudo tjetër", shpjegon Bunger, "ndërsa Brazili është vendi i destinuar për këtë lloj prodhimi".

Amyris ka arritur të njëjtat konkluzione rreth 3 vjet më parë dhe ka nisur ndërtimin e një laboratori brazilian për fermentimin identik me atë të Emeryville. Në Kaliforni, shkencëtarët përpiqen me majatë që ta konvertojnë sheqerin në farnesenë më me shpejtësi dhe eksperimentojnë sa është arritur në Brazil, në kushte tropikale. Këtë vit, Amyris parashikon ndërtimin e një strukture për fermentimin në formë kulle në shtetin brazilian Goiás. Kur të përfundohet, do të jetë në gjendje të prodhojë 100 milionë litra biolëndë djegëse në vit.

Ashtu si etanoli, lënda djegëse e Amyris do të nxirret nga fermentimi i sheqerit. Por shkencëtarët e kompanisë i kanë manipuluar majatë në mënyrë të tillë që mikrobet ta transformonjnë në hidrokarbure të djegshëm në vend të alkoolit. Kjo do të thotë se konkurrenti i lëndës djegëse të gjelbër nuk është etanoli, por gazoili i nxjerrë nga nafta, si dhe biokarburantet e prodhuara nga vaji vegjetal apo yndyrnat shtazore. Amyris thotë se biolënda djegëse e saj u ofron avantazhin respektivisht dy të tjerave. Në ndryshim nga lëndët djegëse me bazë fosile, sigurohet nga një burim i rinovueshëm. Veç kësaj, kontribuon në masë të vogël ndaj gazit me efekt serë në atmosferë; kompania vlerëson se gazoili i prodhuar në Brazil do të emetojë rreth 80 përqind më pak gaze serë sesa gazoili tradicional. Krahasuar me biolëndët djegëse të tjera, lënda djegëse e saj me bazë sheqeri do të jetë me kosto akoma më të ulët dhe do ta përmirësojë funksionimin e motorëve që e adoptojnë. Administratori Delegat i Amyris, një ish-drejtues i botës së naftës me emrin John Melo, është në traktativa me kompani që shikojnë me interes ndaj lëndës djegëse të gjelbër, midis të cilave Federal Express, Virgin Atlantic dhe General Electric.

Për shumë biologë sintetikë, gazoili përfaqëson vetëm fillimin. Sipas mendimit të tyre, në linjë parimore, mund të krijohen mikroorganizma për të zëvendësuar të gjitha produktet petrolifere. Por brisqet janë të mëdha. Larmitë e majave të Amyris janë treguar papritmas të dobëta. Veç kësaj, ashtu si me procese të tjerë bioteknologjikë që varen nga mikroorganizma të gjalla, asnjeri nuk është në gjendje të thotë se prodhimi i biokarburantit mund të marrë dimensione të shkallës ekonomikisht të mbështetshëm duke filluar nga 1000 litrat e prodhuar sot. "Të gjitha parashikimet bazohen mbi eficenca të shkallës për procese që nuk kanë arritur asnjëherë në këto nivele", thekson Noubar Afeyan, Administrator Delegat i Flagship Ventures në Cambridge të shtetit Massachusetts dhe një prej themeluesve të LS9, një kompani e re konkurruese biologjie sintetike. Problemi është se "duhen qindra milionë dollarë për të çuar përpara eksperimentimin, edhe në shkallë të mesme".

Nëntë vjet më parë, teknologjia e Amyris nuk përfaqësonte sigurisht një projekt kryesor të laboratorit të Keasling në Berkeley. Kërkuesit tentonin të prodhonin me mikroorganizma diçka komercialisht të vlefshme. Me shtimin e ADN-së nga bimë e baktere, laboratori i Keasling ideoi baktere dhe qeliza të reja majaje në gjendje të prodhojnë sasira të mëdha izopentinil pirofosfati. Me 5 atomet e tij të karbonit, përzierja kimike është një lloj tullëze Lego e botës natyrore; falë saj, bimë dhe kafshë krijojnë izoprenoidet, komponente të një kategorie të gjerë molekulash që përfshin ilaçin antikancer taksol, vitaminën E, aromat si ajo e grejpfrutit dhe feromonet e buburrecave femër.

Keasling e dinte se shpikja ishte e vlefshme dhe në vitin 2001 regjistroi patentat e parë të karrierës së tij. "Donim të ndesheshim me problemet reale", shpjegon ai. Mundësia u paraqit në vitin 2004, kur Fondacioni Bill dhe Melinda Gates vendos që t’i dhurojë 42.6 milionë dollarë projektit që do të mundësonte të prodhohej ilaçi antimalarik artemisinë me ndihmën e mikrobeve "me masë" të Keasling.

Aktualisht, artemisina nxirret nga bima e absintit të ëmbël, që rritet sidomos në Afrikë dhe në Azi. Disponueshmëria e ilaçit është jo e vazhdueshme dhe çmimet variojnë ndjeshëm; në vitin 2006 kanë arritur 1100 dollarë kilogrami. Me përdorimin e majave gjenetikisht të modifikueshme për të prodhuar artemisinën nga sheqeri, qëndrimi i Keasling premton që të zgjidhet problemi i sigurimit të ilaçit dhe t’i ulen ndjeshëm çmimet. Duke mundur të shpëtojë mijëra – ndoshta miliona – njerëz që përndryshe mund të vdesin nga malarja, projekti është bërë simboli i potencialit të biologjisë sintetike për ta ndryshuar për mirë botën. Financimi i Fondacionit Gates ka favorizuar ekspansionin e shpejtë të Amyris, kompanisë që Keasling dhe tri studentë të tij të specializuar kanë krijuar për të çuar përpara projektin kundër malarjes. Në fund të vitit 2005, thotë Neil Renninger, Përgjegjësi Teknologjik i Amyris, kemi kaluar "netë dhe fundjava të gjata të tëra" për të kuptuar se çfarë problemesh të tjera do të mund të zgjidhte teknologjia.

Sipas Amyris, familja e izoprenoideve përfshin rreth 50000 tipe të ndryshme molekulash, kështu që nuk ishte operacion i thjeshtë të përcaktoje se ku ta përqëndroje vëmendjen. "Kur filluam të grumbullojmë kapitale me risk, thamë se mendonim për disa ilaçe interesante, në sektorin e nutraceuticals (kombinim i nutrition dhe pharmaceutical) dhe deri në lëndët djegëse", kujton Renninger. Por ishte e vështirë të gjendej një projekt që të kishte të njëjtën vlerë për shkencëtarët e Amyris sesa ai për malarjen. "Vihej përballë mbrojtja e jetës njerëzore me kërkimin e fitimit", vazhdon Renninger. "Kështu që ishte e vështirë të ngjallej interes kur flitej për të prodhuar aromën e grejpfrutit".

Gjërat filluan të ndryshojnë nga mesi i 2006, kur dy shoqëri kapitalesh me risk të Silicon Valley, Kleiner Perkins Caufield dhe Byers e Khosla Ventures, eksperte në energjinë e gjelbër, u ofruan që të investojnë 20 milionë dollarë në kompani. Në vitin 2005, Kongresi amerikan kishte nxjerrë dispozitat e tij në lëmin e lëndëve djegëse të rinovueshme, duke ushqyer një valë investimesh spekulative mbi të gjitha biokarburantet. Geoffrey Duyk, Drejtor Organizativ i TGP Biotech, që nga ana e tij ka investuar para në kompani, kujton se sapo Amyris i pranoi financimet, investitorët "u futën dhe e përqendruan interesin mbi lëndët djegëse".

Investitorët filluan t’i vijnë rrotull Melo, në atë kohë Shef i Sektorit Tregtar të Lëndëve Djegëse për Amerikën Veriore i British Petroleum, që ta bënin Administrator Delegat të Amyris. Melo menaxhonte atë që ai e quan "një biznes jo keq" me një park të madh autokarrosh dhe terminalesh të shumta që gjeneronin 34 miliardë dollarë të ardhura. Herën e parë që një ortak i ri i foli për një kompani bioteknologjish që merrej me një projekt kundër malaries, rrëfen Melo, reagimi im qe: "Po bën shaka, unë merrem me lëndë djegëse, jo me asistencë mjekësore".

Falë konfidencës më të madhe me biologjinë sintetike dhe me një seri takimesh me stafin mjekësor, Melo ndërroi ide. Lëndët djegëse kanë fitime më të larta nga të gjitha aktivitetet tregtare, por kompanitë e naftës investojnë në kërkim e zhvillim vetëm një përqindje minimale dhe pothuajse asgjë në kërkimin bazë. Melo vendosi që industria e vjetër e tij tashmë ishte pjekur për një ndryshim. "Aftësia për të modifikuar mikrobet në Microsoft-in e lëndëve djegëse dhe të substancave kimike, të cilëve u shkruajmë softuerin në serbatorët e fermentimit", shpjegon ai. "Loja ka ndryshuar". Melo e drejtoi kompaninë drejt çizelit, karburantit për transport më të përdorshëm në botë dhe që shpesh ka probleme disponueshmërie. Prodhimi i llojit të duhur të molekulave rezultoi çuditërisht i thjeshtë.

Vetëm në 6 javë, shkencëtarët e kishin transformuar një enzimë të vetme në baktere të modifikuara që prodhojnë artemisinë dhe kishin filluar të prodhonin farnesenë, vajin që ishte identifikuar si një pararendë potencial i dizelëve.

"Duken projekte krejtësisht të ndryshëm – një është ilaç, tjetri është lëndë djegëse – por rruga metabolike është e ngjashme", pohon Collier. "Kjo intuitë ka përfaqësuar hapin e madh përpara të Amyris". Farnesena është një vaj me aromë të pëlqyeshme, përgjegjës pjesërisht i erës së lëkurës së mollës. Duke realizuar një hap të mëtejshëm kimik, hidrogjenizimin, Amyris është në gjendje ta transformojë farnesenën e prodhuar nga majatë në farnesanë, një lëndë djegëse që ndizet lehtë me karakteristika të ngjashme me ato të gazoilit.

Amyris është e sigurtë se në të njëjtën mënyrë të hidrokarbureve si gazoili dhe benzina, farnesana nuk duhet të hasë vështirësitë që kanë prekur biokarburantet e tjera. Për shembull, etanoli mund të përzihet me ujin, gjë e cila mund të shkaktojë dëme nëqoftëse uji penetron në rrugët e benzinës. Kurse biokarburantet me origjinë vegjetale përmbajnë në fakt papastërti dhe mund t’i bllokojnë motorat në temperatura të ulëta. Veç kësaj, farnesana mund të futet drejtpërsëdrejti në rrjetin aktual të shpërndarjes së lëndëve djegëse. Posedon edhe një avantazh respektivisht gazoilit normal: nuk përmban squfur ndotës.

Në çdo rast, projekti mund të ketë një impakt serioz vetëm nëqoftëse do të mund të përdoret në shkallë të gjerë. Por asnjeri nuk mund të garantojë se biologjia sintetike mund të funksionojë pa probleme në këto dimensione shkalle. Vitin e kaluar, Synthetic Genomics, një kompani e krijuar nga J. Craig Venter, pionieri e sekuencimit gjenik, ka nënshkruar një marrëveshje 300 milionë dollarëshe me Exxon Mobil për krijimin e algave që prodhojnë lëndë djegëse. Emil Jacobs, Zëvendëspresident për Kërkimin dhe Zhvillimin tek Exxon, megjithatë i ka deklaruar "Neë York Times" se nuk do t’i "ngjyrosë" probabilitetet e suksesit të projektit. "Për karburantet e transportit, nëse nuk mund të parashikohen përmirësimet e ardhshme të teknologjisë, është e nevojshme të reflektohet më vëmendje të madhe qysh nga fillimi nëse të lihen ose jo të përfshihen në kompani", ka shpjeguar Jacobs.

Aftësia për të prodhuar lëndë djegëse në sasira të mëdha nuk është kërkesa e vetme për t’u përmbushur për t’u bërë një opsion realist. Bëhet fjalë edhe për mallra që shiten me çmime të ulëta. Për litër, produkti i industrisë së naftës kushton sa gjysma e Coca-Cola. Atëhere cilat janë kostot kryesore për t’u përballuar në procesin e prodhimit të Amyris? Nëqoftëse mesataret e industrisë së etanolit thonë të vërtetën, sheqeri mbi të cilin ushqehen majatë përfaqëson më shumë se gjysmën e çmimit final të prodhimit të farnesanës.

Këto llogaritje kanë qenë një prej arsyeve për të cilat Melo "ka zgjedhur që të krijojë bazë në Brazil", thekson investitori Duyk. Misri amerikan, edhe pse në pëllëmbë të dorës, do të ishte një bast i humbur. Në vitin 2007, ekspansioni i fortë i prodhimit të etanolit në Shtetet e Bashkuara ka bërë që të ngrihen vertikalisht aq lart çmimet e misrit sa që dhjetëra mijëra meksikanë kanë dalë në rrugë për kostot e tortijave. Me rënien e çmimeve të naftës në vitin 2008 dhe çmimet e misrit qëndrueshmërisht në nivele rekord, shumë prodhues amerikanë të etanolit nuk kanë mundur më të nxjerrin fitime.

Dimensione shkalle, kostosh dhe konkurrence me tregun ushqimor nuk janë problemet e vetme për biolëndët djegëse. Amyris thekson se gazoili i saj i ka letrat në rregull nga pikëpamja mjedisore: sipas të dhënave të shpërndara nga kompania, lëndët djegëse të saj No Compromise do të lëshojnë në atmosferë 80 përqind më pak se anhidridi karbonik i lëndëve djegëse me bazë fosile. Për momentin, kallamsheqeri brazilian është mbështetja kryesore ndaj produktit të "gjelbër" të Amyris. Studime braziliane theksojnë se etanoli nga kallamsheqeri garanton nga 7 deri në 10 herë më shumë energji nga sa kërkon prodhimi i lëndës djegëse; në fakt, etanoli nga misri siguron vetëm një kuotë minimale më shumë se energjia e nevojshme për ta prodhuar. Ndërsa impakti mjedisor i kultivimeve gjithnjë e më të zgjeruara të kallamsheqerit mbetet i paqartë, duket evidente për kultivimin e misrit. Veç kësaj, prodhuesit e biokarbutanteve të Brazilit janë më efiçentë se ata të vendeve të tjera, pjesërisht sepse shumë kompani të tyre i djegin mbeturinat e kallamsheqerit për të ushqyer mullinjtë e vajit dhe distiluesit, duke e reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse me bazë fosile.

Brazili përfaqëson edhe avantazhe si treg. Kërkesa për gazoil në vend është e lartë, kështu që Amyris mund të zhvillojë një biznes të mirë pa eksportuar një pikë të vetme karburant. Brazili ka hapësirën për ta rritur prodhimin: kallamsheqeri mbillet tani në rreth 3 përqind të tokës së kultivueshme të vendit, por të mbjellat mund të zgjerohen mbi 100 milionë akra të tjera sot të destinuara për kullotjen e bagëtisë. "Mund të katër apo pesëfishohet prodhimi i kallamsheqerit", thotë Bill Haywood, Administrator Delegat i LS9-ës dhe ish-drejtues i një kompanie nafte. "Pjesa tjetër e botës nuk e ka kuptuar akoma mirë. Besoj se Brazili mund të bëhet djepi i biokarburantit me cilësi të lartë, siç ka ndodhur tashmë për etanolin".

Në muajin dhjetor, Amyris ka arritur një marrëveshje për të ndërtuar impiantin e parë të saj për prodhimin e farnesenës, një strukturë prej 100 milionë litrash në vit që do të ndërtohet në brendësinë e stabilimentit më të ri Boa Vista për prodhimin e sheqerit dhe etanolit në Goiás. Marrëveshja parashikon blerjen nga ana e Amyris e 40 përqind të aksioneve të stabilimentit nga pronari i tij, Grupi São Martinho. Pagimi komplesiv, rreth 80 milionë dollarë kesh dhe aksione, ka qenë çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një impiant bluarjeje në Brazil, sipas Fábio Venturelli, President i São Martinho. Amyris donte kontrollin mbi ndërtimin e stabilimentit të parë të saj, që të ishte e qetë se gjithçka do të ecte pa ngecje. Por në fund kompania ka vendosur që shkëmbejë teknologjinë e saj me eksesin ndaj lëngut të kallamsheqerit: një qëndrim më pak i kushtueshëm. Ideja është që stabilimentet braziliane t’i rikualifikojnë impiantet e tyre, ndërsa Amyris ofron kontributin e majave gjenetikisht të modifikuara të saj. Më pas, Amyris do të donte të shiste farnesenën dhe t’i ndajë fitimet me stabilimentin.

Edhe pse termat komercialë duken të komplikuara, strategjia e Amyris duket e qartë: në një industri që për shumë aspekte është më përmbajtje të ulët teknologjike (në Brazil, më shumë se gjysma e kallamsheqerit pritet akoma me dorë nga njerëzit), kompania do të transformojë impiantet në biorafineri futuriste në gjendje që të prodhojnë substanca kimike dhe lëndë djegëse me vlerë më të madhe të sheqerit apo të etanolit. Shumë kompani braziliane kanë lëvizur sipas linjave të ngjashme. Në vitin 2008, kur Venturelli është bërë Administrator Delegat i São Martinho dhe ka parë për herë të parë projektin për stabilimentin Boa Vista, ka vërejtur se dikush shkruar shënimin e mëposhtëm në një hapësirë boshe: "Hapësirë kushtuar kompleksit të ardhshëm kimik bazuar mbi kallamsheqerin".

Pikëpyetje të shumta mbesin gjithsesi pa përgjigje. "Të gjitha kompanitë tona po kërkojnë që të fitojnë një pozicion pararojë në tregun e lëndëve djegëse dhe shikojnë tek Amyris mundësinë konkrete të transferimit teknologjik", pohon Alfred Szwarc, Këshilltar Teknologjik i UNICA, shoqata më e madhe braziliane e kultivuesve të kallamsheqerit. "Por duke qenë se nuk e dimë çmimin apo kostot operative, për momentin bëhet fjalë vetëm spekulime".

Paqartësia më e madhe ka të bëjë me prezantimet e majave të Amyris në kushte industriale. Do të jetë një prej herëve të para që biologjia sintetike do të ketë arritur dimensione prodhuese të ngjashme dhe procesi do të nxjerrë pashmangshmërisht probleme të natyrës inxhinieristike asnjëherë të ndeshura deri më tani. Nuk mungojnë preokupimet: në serbatorët e fermentimit, varitetet e majave jo të manipuluara mund të mbivendosen në lëngun e kallamsheqerit. Në eksperimentet në laboratorët sterilë mbivendosja nuk përfaqëson ndonjë problem, por në një stabiliment për përpunimin e kallamsheqerit, majatë që nuk prodhojnë farnesenë lehtësisht mund ta mbulojnë varietetin e krijuar në laborator.

Zhvillimet e kohëve të fundit të projektit për artemisinën tregojnë se edhe kostot mund të jenë problem. Grupi farmaceutik Sanofi Aventis, që ka rënë dakord për të menaxhuar prodhimin komercial të ilaçit antimalarik, thotë se ka hasur pengesa të papritura dhe se parashikon tani një kosto të ilaçit midis 350 dhe 400 dollarëve për kilogram. Ky çmim i afrohet atij mesatar të versionit me origjinë vegjetale, por është tri apo katër herë më i lartë nga sa është premtuar prej Keasling në intervistat e tij për mediat.

Në Brazil, ëndrra e Amyris për ta transformuar tregtinë botërore të lëndëve djegëse duket se pëson një shtyrje, të paktën për momentin. Impianti i parë i kompanisë mund të mos prodhojë farnesenë sa duhet me kosto të ulët sa të konkurrojnë me dizelin. Në të vërtetë, farnesena e stabilimentit São Martinho do të shitet menjëherë në tregun e mallrave të konsumit, në të cilin mund të kërkojë çmime shumë më të larta nga ato të lëndës djegëse dizel (veç gjërave të tjera, mund të përdoret si agjent hidratues për të kuqtë e buzëve apo në kremrat antiplakje).

Kjo do të thotë se shkencëtarët e Amyris do të duhet të presin edhe pak akoma për ta ndryshuar botën. Por Melo thekson se kompania nuk e ka braktisur objektivin e saj për të luajtur një rol qendror në tregun e lëndëve te djegshme. "Na intereson të kemi një impakt ndaj situatave. Të shpëtosh mijëra fëmijë do të thotë të kesh një impakt të fortë. Me karburantet, është një problem dimensionesh. Nëqoftëse kontributi ynë ndaj kontrollit të emisioneve të dyoksidit të karbonit apo ndaj produkteve ekologjike nuk do të arrijë nivele shkalle, atëhere do të jetë i papërfillshëm".

 

Gazeta Rilindja Demokratike, 15.10.2010