Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prokuroria mbyll hetimin për Arian Tartarin

Prokuroria mbyll hetimin për Arian Tartarin
Hetimi i Prokurorisë për koncesionet hidrike, të përfituara nga partneri i deputetes Albana Vokshi, është drejt mbylljes. Përgjatë 1 muaji e gjysmë, prokurorët e Task-Focës nuk kanë vërtetuar asnjë prej akuzave publike të Partisë Socialiste për konflikt interesi apo shkelje ligji nga ana e Arian Tartarit. Organi i akuzës ka administruar dhe shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha ofertat e paraqitura në Ministrinë e Ekonomisë, për përfitimin e lejes koncesionare, e cila parashikon ndërtimin e gjashtë HEC-eve në Gjirokastër, por pa mundur të zbulojë shkelje. Hetimet për këtë pjesë të dosjes, ku përfshihet edhe korrupsioni i dyshuar me lejet e ndërtimit, apo kontrata për shfrytëzimin e një pjese të kompanisë “Albpetrol”, ende nuk ka përfunduar, por deri tani nuk është evidentuar asnjë parregullsi. Burime të rezervuara pranë organit të akuzës thanë se gjatë gjithë procedurës është konstatuar vetëm një pretendim i ngritur nga administratori i një prej kompanive pjesëmarrëse në konkurs, por ky pretendim zyrtarisht është konsideruar si i pabazuar. Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se kompania “Albaenergiaplus”, në pronësi të Arian Tartarit, ka përfituar vetëm një leje koncesionare, e cila parashikonte ndërtimin e 6 HEC-eve mbi përroin e Vërtopit, fshati Suhë në Gjirokastër, investim që kap vlerën e 360 milionë lekëve. Gjatë zhvillimit të konkursit nuk ka pasur asnjë parregullsi, ndërsa oferta e paraqitur nga kompania “Albaenergiaplus”, sipas verifikimeve të Prokurorisë, ka qenë më e mira ndër ofertat e paraqitura nga kompanitë e tjera. Po ashtu edhe procedurat e ndjekura, nga shpallja e konkursit deri të hapja e ofertave, ka qenë e rregullt dhe pa asnjë shkelje apo pretendim nga konkurrentët e tjerë. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, ofertat e kompanive pjesëmarrëse në konkurs janë hapur në datën 4 dhjetor të vitit 2007, ku nuk ka marrë pjesë vetëm një nga kompanitë e interesuara. Versioni zyrtar i APP-së për mungesën e një prej kompanive pjesëmarrëse, është mosparaqitja e tij pa arsye të përligjura. Por personi në fjalë ka dhënë një tjetër version në ankesën e tij. Ai ka pretenduar se ditën kur ishte parashikuar hapja e ofertave të paraqitura nga kompanitë konkurruese, nuk është lejuar të hyjë në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës nga roja e këtij institucioni. Administratori i kompanisë konkurrente me Tartarin ka pretenduar se nuk ka mundur të paraqitej edhe pas debatit me rojen, që ka zgjatur rreth 30 minuta. Sipas tij, roja i ministrisë ka thënë se në institucion nuk kishte asnjë person, ndërsa njoftimi i Agjencisë së Prokurimeve Publike sqaronte se ishte caktuar pikërisht ajo datë për hapjen e ofertave të kompanive konkurruese për marrjen e lejes koncesionare. Pretendimi i ngritur nga përfaqësuesi i kompanisë që mungonte nuk është marrë për bazë, pasi veç fjalëve të tij nuk ka pasur asnjë tjetër provë që të tregonte se është ndaluar nga roja i ministrisë. Sipas hetimit, ky moment ka qenë i vetmi i pretenduar gjatë gjithë procesit që përfundoi me shpalljen e kompanisë së Tartarit fituese nga APP më datën 7 prill të vitit 2008. Duke u bazuar në të dhënat që hetimi ka mundur të mbledhë deri tani, hetimi për këtë çështje duket gati i përfunduar, por ende nuk ka një vendim nga ana e prokurorëve të çështjes. Paralelisht me të vazhdon hetimi për akuzat e deputetes Albana Vokshi, se bashkëjetuesi i saj është detyruar të bëjë 20 për qind aksioner Tan Leprin në këmbim të lejes së ndërtimit. Po ashtu, ende nën hetim është marrëveshja e kompanisë “Stream Oil” që administrohet nga Arian Tartari me “Albpetrol”-in për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës.

 

Gazeta Mapo, 15.10.2010