Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosove: Vonon kualifikimi i operatorëve për zhvillimin e hidrocentraleve

Kosove: Vonon kualifikimi i operatorëve për zhvillimin e hidrocentraleve

Njësisë për Partneritet Publiko-Privat, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, nuk i kanë mjaftuar pesë muaj për kualifikimin e operatorëve që do të marrin pjesë në projektin për zgjerimin dhe operimin e hidrocentraleve të vogla. Me datën 10 maj ishte mbyllur afati për paraqitjen e kredencialeve të operatorëve të interesuar për të investuar në hidrocentralet e vogla. Deri më tani kjo njësi ende është duke analizuar ofertat e paraqitura dhe ende nuk ka marrë ndonjë vendim për kualifikimin e operatorëve që  i plotësojnë kushtet e kërkuara nga Qeveria e Kosovës.

Lorik Fejzullahu, udhëheqës i Njësisë për PPP, ka thënë se ende janë në proces të analizimit të ofertave dhe shumë shpejt do të dihen operatorët e kualifikuar. Ai ka thënë se numri i madh i operatorëve të interesuar dhe pengesat në mbledhjen e komisionit janë dy nga arsyet që kanë ndikuar në vonesat e kualifikimit të operatorëve.
“Ka pak vonesa, e një prej arsyeve është se kemi pasur 16 operatorë të interesuar për të marrë pjesë në tenderim. Secila ofertë i ka minimum 400 deri në 600 faqe të cilat duhet të shikohen dhe të analizohen. Është dashur t’i analizojmë mirë të gjitha detajet që mos t’i bëhet dikujt padrejtësi për shkak të kohës”, ka thënë Fejzullahu. “Në të njëjtën kohë Komisioni Ndërqeveritar ka pasur ndonjë herë problem në koordinimin e kohës se kur duhet të mbahen takimet. Pa qenë të gjithë të pranishëm nuk mund të sillen konkluzione sa i përket vlerësimit të një oferte”.
Përveç këtyre pengesave, Fejzullahu thotë se edhe angazhimet në projektet e tjera kanë ndikuar në vonesat e shkaktuara. Edhe pse ende nuk e kanë përfunduar fazën e kualifikimit, Fejzullahu thotë se janë duke punuar për fazën e dytë të këtij projekti. “Gjithashtu, paralelisht jemi duke punuar në hartimin e kontratës për propozim, që është faza e dytë e procesit, kur kompanive të kualifikuara u dërgohet kërkesa për propozim dhe kontrata”, ka thënë ai.
Zëvendësministri i Energjisë dhe i Minierave, Blerim Rexha, ka thënë se kjo ministri ka qenë ideatore e këtij projekti, mirëpo sipas tij përgjegjëse për këtë projekt, sipas Ligjit për koncesione dhe partneritet publiko-privat, është njësia e krijuar në kuadër të MEF-it. 
Të interesuarit për të investuar në hidroenergji ende nuk janë njoftuar se në cilën fazë ka arritur ky projekt. Udhëheqësi i Njësisë për Partneritet Publiko- Privat ka thënë se vonesat e shkaktuara në fazën e parakualifikimit nuk do të kenë ndonjë pasojë juridike, siç mund të kishin vonesat në fazën e dytë kur operatorët duhet të ofertojnë.
“Pasi jemi në fazën e kualifikimit nuk ka ndonjë sanksion, pasi nuk është përcaktuar se sa duhet të ketë vonesë pas të cilës mund të anulohet”, ka thënë ai.
Fejzullahu, ka thënë, sipas praktikave, në rastet kur vonesat janë një vit apo më shumë është i nevojshëm të kërkohet nga operatorët e interesuar rikonfirmimi i interesimit të tyre. Mirëpo, ai ka thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim për dërgimin e kësaj letre, ku kërkohet konfirmimi i interesimit.
Në nenin 26 të Ligjit mbi partneritetet publiko-private përcaktohet çështja e kualifikimit. “Autoriteti kontraktues do të marrë vendim lidhur me kualifikimet e secilit ofertues, i cili ka paraqitur aplikacionin për parapërzgjedhje. Gjatë marrjes së këtij vendimi, Autoriteti Kontraktues do t’i përdorë vetëm kriteret e përcaktuara në dokumentet e parapërzgjedhjes. Të gjithë ofertuesit e parapërzgjedhur më pas do të ftohen nga Autoriteti Kontraktues për paraqitjen e propozimeve të tyre në përputhje me nenet 27 deri 35 të këtij ligji”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.
Në kërkesën për kualifikime për zhvillimin dhe operimin e hidrocentraleve të vogla, që është shpallur me 31 mars, parashihen të zhvillohen gjithsej 8 lote, me 11 hidrocentrale të vogla. Nëpërmjet kësaj kërkese për kualifikim janë ftuar operatorë të hidrocentraleve, zhvillues dhe investitorë të paraqesin kualifikimet e tyre për qëllim për të qenë të përzgjedhur të marrin pjesë në një tender konkurrues për zhvillimin dhe operimin e hidrocentraleve të vogla. Në këtë shpalljes thuhet se projekti do të jetë në formën e një marrëveshjeje 40-vjeçare projektimi – ndërtimi – financimi – operimi – bartja (PNFOB). Përveç këtyre hidrocentraleve, Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar disa kontrata për dhënien me koncesion të disa hidrocentraleve të vogla. Ndërsa projekti më i madh në energjinë nga uji mbetet Hidrocentrali i Zhurit, ku parashihet të ndërtohet një hidrocentral me kapacitet prej 305 megavateve.

 

Gazeta Koha Ditore, 15.10.2010