Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK-u i ka borxh Qeverisë 124 milionë euro

KEK-u i ka borxh Qeverisë 124 milionë euro
Korporata Energjetike e Kosovës i ka borxh Qeverisë së Kosovës mbi 124 milionë euro. Ky borxh është akumuluar nëpërmjet kredisë qindra milionëshe që Ministria për Ekonomi e Financa ia ka lëshuar kësaj korporate. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, kjo shumë e mjeteve është lëshuar nëpërmjet marrëveshjes për kredi që kjo korporatë të bëjë rehabilitimin e blloqeve dhe minierave.
“Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kanë nënshkruar marrëveshje për kredi  në shumë prej 229,152,550.00 €, kurse deri tani nga KEK-u janë tërhequr 124,624,395.24 €”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie Muharrem Shahini.
Sipas tij, korporata energjetike deri tash ka arritur t’ia kthejë Ministrisë së Financave vetëm 587 mijë e 500 euro.
“Deri tani nga shuma e tërhequr KEK-u, sipas marrëveshjes, ka kthyer 587,500.00 €,  përderisa mbesin edhe 124,036,895.24 € për t’u kthyer sipas afateve të parapara”, ka theksuar Shahini.
Ndarja e kredisë që peshon afro një çerek miliard euro, sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, është bërë duke u bazuar në Ligjin e Buxhetit, i cili, sipas tij, i jep autoritet ministrit që të japë kredi për ndërmarrje publike.
Duke u bazuar në këtë ligj dhe në Ligjin për Menaxhimin e Financave dhe atë për Ndërmarrjet Publike është kompetencë e ministrit, sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, që të japë kredi të kthyeshme në përputhje me afatet e aprovuara nga Qeveria.
Sipas zëdhënësit Shahini, kjo ministri ka dhënë kredi edhe për ndërmarrje të tjera publike dhe këtë nuk e ka bërë vetëm për Korporatën Energjetike. Ndërkaq në anën tjetër, Zyra për Media e Korporatës Energjetike nuk ka mundur të përgjigjej rreth kësaj pasi, sipas tyre, u duhet kompletimi i të dhënave për kredinë që kanë marrë nga Ministria për Ekonomi e Financa.
Përveç kësaj kredie, Qeveria e Kosovës ka ndarë vit për vit dhjetëra miliona euro në formë subvencionesh për Korporatën Energjetike të Kosovës. Për këtë vit KEK-u ka në dispozicion 40 milionë euro, të cilat përdoren për blerjen e energjisë elektrike, ndërsa në vitet e kaluara shuma e subvencionit vjetor për këtë korporatë shkonte deri në 60 milionë euro.

 

Gazeta Koha Ditore, 15.10.2010