Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksklusive: Të gjithë përfitojnë nga standartet

Eksklusive: Të gjithë përfitojnë nga standartet

Me poshte eshte fjalimi i mbajtur ne Drejtorine e Pergjithshme te Standarteve me rastin e Ditës Botërore të Standardeve, 14 tetor 2010.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!

Të nderuar Miq!

Dita Botërore e Standardeve festohet çdo vit, më 14 Tetor, për të nderuar përpjekjet e mijëra ekspertëve në mbarë botën, të cilët bashkëpunojnë me IEC, ISO dhe ITU për hartimin dhe miratimin e Standardeve Ndërkombëtare. Statusi i Standardeve Ndërkombëtare është vullnetar.

Ato kontribuojnë në lehtësimin e tregtisë, përhapjen dhe shkëmbimin e informacionit, si dhe shpërndarjen e teknologjisë më të fundit në të gjitha fushat.

Tema e mesazhit të sivjetshëm për Ditën Botërore të standardeve është: "Të gjithë përfitojnë nga standardet". Të paktën 650 milionë njerëz në botë të prekur nga disa lloje pa-aftësish shëndetësore, e kombinuar kjo edhe me numrin në rritje të njerëzve të moshuar të popullsisë në botë (një e katërta e të gjithë qytetarëve janë 60 vjeç ose me të moshuar), e bëjnë më të rëndësishme se kurrë domosdoshmërinë e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në përshtatje me nevojat e kësaj shtrese.

Mesazhi i Ditës Botërore të Standardeve është nënshkruar nga krerët e tri organizatave kryesore ndërkombëtare të standardizimit: Z. Jacques Régis, President i Komisionit Ndërkombëtar në fushën e Elektroteknikës (IEC), Dr Alan Morrison, Kryetar i Organizatës Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO), dhe Dr Hamadoun Touré, Sekretar i Përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).

Përfitimi nga standardet – është niveli ne të cilin një produkt, pajisje, shërbim apo mjedis, bëhet i përdorshëm nga sa më shumë njerëz të jetë e mundur, përfshirë këtu edhe personat me aftësi të kufizuara. Çështja e përfitimit nga standardet është bërë më kritike me rritjen e numrit të njerëzve të moshuar në popullsinë e mbarë botës.

Standardet Ndërkombëtare të hartuara dhe të miratuara nga IEC, ISO dhe ITU, bazuar në konsensusin ndërkombëtar, i japin, prodhuesve dhe atyre që ofrojnë shërbime, udhëzime se si të projektojnë produkte nga të cilat të gjithë të përfitojnë.

Standardet Ndërkombëtare i mundësojnë të gjithëve të përdorin produkte, struktura dhe shërbime në favor të tyre. Ato përfshijnë parametrat e sigurisë, metodat e harmonizuara të testimit dhe ergonomisë me qëllimin që të rrisin për të gjithë aksesin ndaj tyre.

Standardet, gjithashtu, sigurojnë një platformë për përhapjen e të rejave më të fundit teknologjike në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim. Ato ndihmojnë tregun të rritet më shpejt dhe rrisin tregtinë botërore.

Organizatat Ndërkombëtare “IEC, ISO dhe ITU po bashkërendojnë punën e tyre dhe ofrojnë një sistem standardizimi, i cili ndihmon projektuesit, prodhuesit dhe politikë bërësit për t’a bërë botën më të sigurt dhe të “arritshme” nga të gjithë, sot dhe në të ardhmen”.

Në Shqipëri kjo ditë vjen me arritjet si më poshtë:

1. Kuadri legjislativ është i kompletuar. Ligji për Standardizimin është vlerësuar pozitivisht nga ekspertë të BE-së. Parimet e standardizimit, qëllimi dhe misioni i gjithë aktiviteteve të standardizimit janë të shprehura qartë në këtë ligj. Së fundmi, me kërkesë të METE, DPS do të ketë kompetencën të adoptojë edhe standardet e fushës së telekomunikacionit të publikuara nga organizmi europian ETSI.

VKM-të në zbatim të ligjit janë të miratuara. VKM e notifikimeve është vlerësuar nga ekspertë të OBT-së dhe në përputhje me kërkesat e kësaj organizate.

Vlen të përmendet VKM për krijimin e Bordit Drejtues të DPS, i miratuar para pak kohe 2010.

Ky Bord, do të përbëhet nga përfaqësues të palëve të interesuara në procesin e hartimit dhe miratimit të standardeve. Mund të përmendim Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Konfindustria dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë që përbëjnë një përqindje të madhe të interesave të ekonomisë për standarde; Infrastrukturën e cilësisë, shtetin, i cili jo vetëm mbështet me të gjitha mënyrat zhvillimin e aktivitetit të standardizimit, por i siguron publikut standardet e harmonizuara në zbatim të direktivave të “New Approach-it”; sistemin akademik, i cili e mbështet DPS me ekspertizë teknike të specializuar; si dhe përfaqësimin e interesave të konsumatorit, nëpërmjet Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar.

2. Anëtarësimi në CEN&CENELEC ka si kriter kryesor plotësimin e 9 kushteve të vendosura nga këto organizma. DPS është në nivelin e mbi 70% të plotësimit të tyre. Me adoptimin e standardeve EN kemi një avantazh krahasuar me vendet e rajonit. DPS ka adoptuar rreth 93% të tyre.

Kushtet e anëtarësimit përveçse politike, që lidhen me statusin e Shqipërisë në raport me BE-në, kanë të bëjnë me sigurimin e teknologjisë së duhur për shkëmbimin e informacionit gjatë zhvillimit të aktivitetit të adoptimit të standardeve, në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe me pjesëmarrjen në KT gjatë hartimit të standardeve në nivel Evropian.

Me ritmet që po ecim shpresojmë që pas një viti të fillojmë punën për plotësimin e dosjes së aplikimit për anëtarësim të plotë në organizmat Evropiane të standardizimit.

Këtë punë do ta bëjmë bashkë dhje në konsultim me juve dhe të gjithë aktorët e tjerë të interesuar për procesin e standardizimit në Shqipëri.

Të nderuar pjesëmarrës!

Duke shprehur kënaqësinë time për prezencën tuaj në këtë takim simbolik, Ju uroj për Ditën Botërore të Standardeve dhe shpreh gatishmërinë time për të bashkëpunuar me Juve në proces.

 

karburant.com, 16.10.2010