Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dialogu Qeveri-Biznes, në shërbim të ekonomisë së vendit

Dialogu Qeveri-Biznes, në shërbim të ekonomisë së vendit
Këshilli Konsultativ i Biznesit u mblodh sot nën drejtimin e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta.
Në këtë mbledhje, Këshilli i Konsultativ i Biznesit diskutoi mbi disa ndryshime në ligjin “Për Akcizat”; disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”; disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, si dhe mbi vendimin “Për përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta shprehu vullnetin maksimal të qeverisë për të forcuar dialogun, bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin e biznesit, në interes të zhvillimit të biznesit në vendin tonë. Z. Meta vlerësoi edhe funksionimin prej disa vitesh të Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe tha se do të bëhet çdo gjë që të rritet akoma dhe më shumë profesionalizimi i tij. “Ne sot do të diskutojmë konkretisht disa ndryshime dhe disa shtesa në ligjin për Akcizat, për TVSH-në, Për Tatimin mbi të Ardhurat, si dhe për përcaktimin minimal të regjistrimit për TVSH-në. Këshilli Konsultativ i Biznesit është një organizëm këshillues për qeverinë dhe unë së bashku me ju do të ndikojmë, në funksion të mendimeve dhe të këshillave për të gjitha aktet, të cilat miratohen dhe që kanë impakt në aktivitetin e biznesit, por edhe për të gjitha idetë dhe politikat për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë drejtim ne do të bëjmë çdo gjë, jo vetëm për të bërë sa më aktiv Këshillin Konsultativ të Biznesit me këtë përfaqësim që ka sot, por sidomos për të rritur transparencën dhe bashkëpunimin e tij dhe me të gjithë aktorët e tjerë që nuk janë në kompozimin e tij sot. Për këtë qëllim edhe Web-i i Këshillit Konsultativ të Biznesit do të jetë shumë interaktiv, por natyrisht edhe takimet dhe debatet do të jenë më të hapura në të ardhmen”, tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Zv. Kryeministri z. Ilir Meta shprehu bindjen se ky partneritet nuk është thjesht në funksion të një raporti mediatik qeveri-biznes, por të një shërbimi konkret për një funksionim gjithnjë e më të mirë të biznesit, për një klimë gjithnjë e më pozitive, klimë biznesi dhe klimë besimi. Kjo, tha ministri i METE-s, është e domosdoshme për të arritur ato objektiva që qeveria ka për zhvillimin ekonomik të vendit dhe objektivat për integrimin europian të vendit, ku angazhimi i biznesit mbetet përcaktues. “Natyrisht ne të gjithë së bashku do të diskutojmë edhe për këto çështje, përveç akteve konkrete që e kemi dhe detyrim ligjor që t’i diskutojmë, t’i debatojmë para se ato të miratohen nga Parlamenti apo nga institucione të tjera vendimarrëse”, u shpreh z. Meta.
Më pas, fjalën e mori zv.ministri i Financave, z. Alfred Rrushaj, anëtar i Këshillit Konsultativ të Biznesit, i cili bëri një prezantim të detajuar të projektligjeve të propozuara nga Ministria e Financës.
Projektligji “Për Akcizat”, tha z. Rrushaj, synon të sjellë një rritje të akcizës së cigares me 20 lekë, pra nga 50 lekë që është aktualisht të shkojë në 70. Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë dhe është në kuadrin e masave që qeveria ka ndërmarrë për të reduktuar sa më shumë duhanpirjen në vendin tonë. “Synohet rritja e akcizës së cigares me 20 lekë. Nga 50 lekë në 70. Kjo është një sinjal i parë për rritjen e akcizës së cigares pasi është në politikën e qeverisë një përafrim i akcizës dhe çmimit të cigares me atë të vendeve të rajonit dhe BE. Aktualisht tek ne një paketë cigare shihet ndjeshëm më pak se sa në vendet e BE, gjë që s’duhet të vazhdojë për shumë kohë. Është faza e parë dhe ne do të vazhdojmë me rritje të tjera vitin që vjen. Janë marrë masat për të luftuar çdo element të kontrabandës apo futjes së paligjshme të cigares në vendin tonë si shkak i kësaj rritjeje, duke marrë në konsideratë shqetësimet e operatorëve që tregtojnë në këtë biznes”, tha zv.ministri i Financave.
Një tjetër projektligj i diskutuar nga Këshilli Konsultativ i Biznesit ka të bëjë me ndryshimin e TVSH-së në shërbimin shëndetësor. Me anë të këtij projektligji, tha zv.ministri i Financave z. Alfred Rrushaj, synohen të futen ilaçet në skemën e TVSH-së dhe zvogëlimi i TVSH-së në shërbimet shëndetësore. “Furnizimi i ilaçeve dhe shërbimet do të jenë në masën 10 për qind, nga 20. Mendojmë se kjo masë do sjellë një formalizim të tregut të barnbave. Ulja e shkallës së TVSH-së nga 20 në 10 për qind të shërbimeve shëndetësore do të ndikojë në uljen e çmimeve të shërbimeve shëndetësore të të gjithë operatorëve, si publikë, ashtu dhe privatë”, tha z. Rrushaj.
Përsa i përket ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, zv.ministri i Financave sqaroi se ndryshimi i kërkuar parashikon që, kreditë e këqija të mos klasifikohen më si shpenzime të zbritëshme. “Një e re tjetër e këtij projektligji është fakti që bëhet një tentativë e rëndësishme për riatdhesimin e kapitalit të huaj jashtë Shqipërisë. Projektligji sjell të renë që, nëse një kompani shqiptare ka pjesëmarrje në kompani që veprojnë jashtë vendit, në momentin kur këto kompani ndajnë fitim apo marrin divident, i cili është taksuar në vendin ku ato operojnë, kjo e ardhur të mos përfshihet në të ardhurat e tatueshme. Këtë e kemi pasur vetëm për kompanitë rezidente. E kemi shtrirë në kompaninë jorezidente për të tërhequr kapitalin që ndodhet jashtë Shqipërisë”, tha Z. Alfred Rrushaj, ndërsa shtoi se një tjetër risi ka të bëjë me mënyrën se si do të aplikohet parapagesa e tatim-fitimit.
Këshilli Konsulativ i Biznesit diskutoi sot edhe mbi një vendim për të caktuar pragun e TVSH-së në masën 2 milionë lekë, i cili do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë dhe në luftën kundër evazionit fiskal.
Në fund të diskutimit të hapur për mediat, Zv.Kryeministri Meta siguroi edhe një herë komunitetin e biznesit se qeveria është e hapur për diskutuar me transparencë çdo akt që qeveria synon, dhe se komuniteti i biznesit është i mirëpritur për të propozuar iniciativa që përmirësojnë legjislacionin tonë në shërbim të zhvillimit të biznesit, sektorit prodhues në vend dhe ekonomisë në tërësi. “Jemi të hapur. Çdo gjë duhet të konsultohet në mënyrë që të jetë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kështu që, dhe ne presim jo vetëm reagime pozitive apo kritike të komunitetit të biznesit për ato çka ne propozojmë si qeveri, por presim edhe kreativitete pasi ju ndesheni vazhdimisht me problem të ndryshme ligjore e administrative, që duke u përmirësuar mund ta lehtësojnë aktivitetin dhe sfidat tuaja”, përfundoi ministri z. Ilir Meta.
Fjala e plotë e Zv.Kryeministrit dhe ministrit të METE-s, z. Ilir Meta
Është kënaqësi për mua që të drejtoj sot mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Biznesin. Kjo është dhe mbledhja e parë që unë kam mundësinë të marr pjesë dhe të drejtoj me ju dhe dua t’ju siguroj për vullnetin maksimal nga ana ime, por dhe të qeverisë, për të forcuar dialogun, bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin e biznesit, dhe në interes të zhvillimit të biznesit në vendin tonë. Ne sot do të diskutojmë konkretisht disa ndryshime dhe disa shtesa në ligjin e Akcizave, për TVSH-në, Për Tatimin mbi të Ardhurat, si dhe Për përcaktimin minimal të regjistrimit për TVSH-në. Këshilli Konsultativ i Biznesit është një organizëm këshillues për qeverinë dhe unë së bashku me ju do të bëjmë çdo gjë që të rritet akoma më tej profesionalizimi i tij, në funksion të mendimeve dhe të këshillave për të gjitha aktet, të cilat miratohen dhe që kanë impakt në aktivitetin e biznesit, por edhe për të gjitha idetë dhe politikat për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë drejtim ne do të bëjmë çdo gjë, jo vetëm për të bërë sa më aktiv Këshillin Konsultativ të Biznesit me këtë përfaqësim që ka sot, por sidomos për të rritur transparencën dhe bashkëpunimin e tij dhe me të gjithë aktorët e tjerë që nuk janë në kompozimin e tij sot. Për këtë qëllim edhe Web-i i Këshillit Konsultativ të Biznesit do të jetë shumë interaktiv, por natyrisht edhe takimet, edhe debatet, do të jenë më të hapura në të ardhmen.
Me këtë rast dua të shpreh edhe njëherë tjetër bindjen time që ky partneritet nuk është aspak në funksion thjesht të një raporti mediatik qeveri-biznes, por të një shërbimi konkret për një funksionim gjithnjë e më të mirë të biznesit, për një klimë gjithnjë e më pozitive, edhe besimi. Kjo është e domosdoshme për të arritur ato objektiva që edhe qeveria ka për zhvillimin ekonomik të vendit, ato objektiva që ne kemi dhe për integrimin europian të vendit, ku angazhimi i biznesit mbetet përcaktues dhe ku natyrisht ne të gjithë së bashku do të diskutojmë edhe për këto çështje, përveç akteve konkrete që e kemi dhe detyrim ligjor që t’i diskutojmë, t’i debatojmë para se ato të miratohen nga Parlamenti apo nga institucione të tjera vendimmarrëse. Falënderojmë mediat për këtë takim të parë dhe duke qenë se do të na duhet të hyjmë në një diskutim konkret do t’i jepja fjalën zv.ministrit të Financave, z Alfred Rrushaj, për të prezantuar ndryshimet që propozohen në emër të ministrisë së Financave dhe natyrisht edhe argumentet përkatëse.
Dua t’ju siguroj se ne jemi shumë të hapur për komunitetin e biznesit, jo vetëm për të diskutuar me transparencë çdo akt që qeveria synon, por edhe ju jeni të mirëpritur për të propozuar iniciativa që përmirësojnë legjislacionin tonë në shërbim të zhvillimit të biznesit, sektorit prodhues në vend. Jemi shumë të hapur. Çdo gjë duhet të konsultohet në mënyrë që të jetë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kështu që, dhe ne presim jo vetëm reagime pozitive apo kritike të komunitetit të biznesit për ato çka ne propozojmë si qeveri, por presim edhe kreativitet pasi ju ndesheni vazhdimisht me problem të ndryshme ligjore e administrative, që duke u përmirësuar mund ta lehtësojnë aktivitetin dhe sfidat tuaja.

 

karburant.com, 15.10.2010