Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Porto-Romano, nis projekti i BB-së për pastrimin e zonës

 

Porto-Romano, nis projekti i BB-së për pastrimin e zonës

Banka Botërore, 228 milionë lekë për pastrimin e mbetjeve kimike
 

Porto-Romano, e njohur si zonë e ndotur nga mbetjet kimike, nuk do të jetë më e tillë. Një projekt i Bankës Botërore do të bëjë të mundur pastrimin e kësaj zone, duke eleminuar një herë e mirë rrezikun që shoqëron banorët e zonës. Kjo do të bëhet e mundur falë ndërtimit të një landfilli, i cili do të grumbullojë të gjitha mbetjet kimike në këtë zonë. Ndërtimi i tij kushton 228 milionë lekë dhe është një fond i akorduar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Në Porto-Romano filluan dje punimet për rehabilitimin e zonës së ndotur në ish-fabrikën e Lindanit. Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë z. Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike dhe Transportit, z. Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, z. Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit, znj. Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, znj. Noeke Ruiter nga Ambasada Holandeze, përfaqësues të komunitetit lokal, organizatave të shoqërisë civile, medias, stafi i projektit, kontraktorët etj. Pastrimi i Porto-Romanos është një komponent i Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit, i cili ka filluar në nëntor 2005. Komponenti i Porto-Romanos synon të rehabilitojë zonën e ndotur të ish-fabrikës duke shkatërruar dhe gërmuar materialet e ndotura dhe duke i depozituar ato në një zonë të sigurt dhe të mbrojtur. Më herët, në maj 2006 qeveria e Holandës akordoi paralelisht edhe 1 milion euro për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të mbeturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës. Mbetjet e ripaketuara do të asgjësohen në një fabrikë të specializuar në Gjermani. Punimet priten të përfundojnë në fillim të 2011 dhe përfitimet e pritshme do të jenë: (I) të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë me dheun e ndotur dhe mbetjet duke zvogëluar kështu riskun e shëndetit publik; (II) reduktimi i rreziqeve afatgjata për shëndetin dhe mjedisin nga ujërat e ndotura nëntokësore (III) reduktimi i rreziqeve nga rrjedhja sipërfaqësore e ujit.

Projekti ka nisur në 2003

Në vitin 2003, programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) kërkoi një vlerësim mjedisor, i cili identifikoi pesë pika të nxehta mjedisore për t’u pastruar në Shqipëri. Ish-uzina kimike në Porto-Romano në Durrës u rendit e para, për shkak të rreziqeve të rënda që kjo zonë paraqiste për shëndetin e njerëzve, ujërat nëntokësore dhe habitatet detare. Studimi rekomandoi ndërmarrjen e veprimeve urgjente dhe i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ofronte ndihmë emergjente në këto fusha prioritare. Në vitin 2004, qeveria kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për të rehabilituar zonën e Porto-Romanos. Ndërkohë, qeveria e Holandës shprehu interesin e saj për të mbështetur pastrimin.

Po ashtu, një grant japonez (PHRD), prej 250.000 USD, financoi realizimin e studimit të fizibilitetit për rehabilitimin e zonës. Më vonë në vitin 2004, Banka Botërore ra dakord për të përfshirë në një projekt të vetëm dy projektet e veçanta: atë të menaxhimit të zonës bregdetare dhe atë të pastrimit të Porto-Romanos, i njohur tashmë si Projekti i Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare dhe Pastrimit. Qeveria e Holandës angazhoi një shumë prej 5 milionë dollarësh për këtë pastrim dhe më vonë në vitin 2006 akordoi paralelisht edhe 1 milion euro për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të mbeturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës në një fabrikë të specializuar në Gjermani. Ndërkohë, disa familje që banonin në këtë zonë janë sistemuar diku tjetër nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Durrësit si dhe janë realizuar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe projektet e rehabilitimit. 

Gazeta Standard, 07.05.2010